19 Nëntor, 2020 - 12:20 pm
Parisi dhe Zyrihu iu bashkuan Hong Kongut në radhët e qyteteve me kosto jetese më të shtrenjtë në botë, ndërkohë që Singapori dhe Osaka i kanë lënë vendin në treshen kryesuese, pas një studimi të publikuar nga e përjavshmja “The Economist”.
Lëvizja më e madhe u regjistrua nga Teherani, që u ngjit me 27 vende për shkak të impaktit të sanksioneve amerikane, sipas raportit për koston e jetesës në botë, publikuar nga “The Economist”.
Impakti i pandemisë mbi dollarin është faktori kryesor i ndryshimit të kostos së jetesës në shumë vende, nënvizon raporti.
“Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar zhvlerësim të dollarit amerikan, ndërkohë që monedhat në Europën perëndimore dhe apo Azisë Veriore janë forcuar, gjë që ka pasur pasoja në çmimet e mallrave dhe shërbimeve”, thekson Upasana Dutt, një nga drejtueset e studimit.
“Parisi dhe Zyrihu iu bashkuan Hong Kongut në krye të klasifikimit për shkak të rritjes së euros dhe frangës zvicerane në raport me dollarin”, vlerëson raporti, që thekson se çmimet në Singapor kanë pësuar rënie për shkak të kërkesës më të ulët pas një eksodi të punëtorëve të huajt.
“Në Osaka, çmimet e konsumit kanë ngecur dhe qeveria japoneze ka subvencionuar kosto të tilla si transporti publik”, vijon raporti.
Në SHBA, Nju Jorku humbi një vend për ta gjetur veten të barazuar në vendin e shtatë me Gjenevën, dhe Los Anxhelesi ra në vendin e nëntë, barazuar me Kopenhagën.
Veshjet ishin të vetmet kategori produktesh që patën ulje të ndjeshme në çmim, kjo për shkak të kërkesës së ulët të konsumatorëve dhe mbylljes për javë të tëra gjatë periudhës së pandemisë.
“Në të kundërt, rritja e punës nga shtëpia ka sjellë një rritje në blerjet e pajisjeve elektronike, një kategori produkti që pa çmimet e saj të rriten më shumë”, sipas studimit.
Indeksi i çmimeve mund të mbetet i njëjtë edhe për vitin e ardhshëm, ndërsa ekonomia botërore parashikohet të hasë vështirësi për t’u rimëkëmbur, së paku deri në vitin 2022./atsh/ KultPlus.com