Parisi do të përdorë taksi fluturuese gjatë Lojërave Olimpike 2024

30 Nëntor, 2021 - 1:58 pm

Nga romanet fantastiko-shkencore deri tek filmat aksion, taksitë fluturuese kanë qenë pjesë e imagjinatës njerëzore prej kohësh.

Por, këto mjete futuristike janë fare pranë bërjes realitet dhe mund të përdoren edhe si taksi për të transportuar fansat e sportit gjatë Lojërave Olimpike 2024, në Paris.

Kjo është bërë e ditur nga zyrtarë francezë, të cilët shtuan se kanë nisur testimet me taksi elektrike fluturuese që pritet të përdoren gjatë Lojërave Olimpike.

Qëllimi final është të krijohen të paktën 2 pista fluturimi në ajër, në mënyrë që të lehtësohet trafiku gjatë lojërave.

Për momentin, rreth 30 prodhues të të tilla makinave do të testojnë produktet e tyre në fushën ajrore Cromeilles-en-Vexin, që ndodhet vetëm disa kilometra larg Parisit.

Ky lajm vjen pak kohë pasi kompania koreano-jugore, Hyundai, njoftoi planet për hedhjen në treg të taksive fluturuese autonome deri në vitin 2028, të cilat do të kenë mundësi të akomodojnë deri në 5 pasagjerë.

CEO i Aeroports de Paris, Augustin de Romanet, u shpreh për mediat franceze se:

“Këto testime janë të paprecedente deri më sot në Europë,’ dhe se ‘ato do të shërbejnë për të ndërtuar një eksperiment konkret dhe për të eksploruar gamën e mundësive të aviacionit inovativ dhe net-zero, si dhe për të zhvilluar tregun e aviacionit në lartësi të ulëta (poshtë 300 metrave), i cili deri tani ka mbetur më së shumti i paeksploruar.”/ KultPlus.com

Të ngjajshme