24 Janar, 2021 - 7:39 pm
Parku Disneyland në Anaheim të Kalifornisë është tjetërsuar në një qendër gjigande vaksinimi masiv kundër COVID-19. Poashtu edhe qytete të tjera të Kalifornisë si Los Anxhelos dhe San Diego kanë krijuar qendra masive me kapacitete vaksinimi prej disa mijëra njerëzish në ditë.
Qendrat e vaksinimit janë përhapur në të gjithë Kaliforninë, që nga stadiumet, ekspozitat e deri tek parku Disneyland. Disneyland është i pari nga pesë qendrat e mëdha për vaksinimin kundër koronavirusit, ku mund të injektohen rreth 7 mijë njerëz në ditë.
Vetëm ditën e parë, më shumë se 10 mijë njerëz aplikuan për vaksinim në faqen e internetit të kontesë Orange. Molly Nichelson është punonjëse e qeverisë lokale.
“Nëse nuk keni lënë takim, mos hajdeni. Pjesmarrja ka qënë e pabesueshme.”
Si rezultat i kërkesave të mëdha për vaksinim sa më të shpejtë, faqja e internetit vazhdoi të kishte probleme. Suzana shkoi të vaksinohej me burrin e saj. Ajo thotë se ishin me fat.
“U vaksinuam që të jetojmë, kjo është arsyeja e vetme”, thonë bashkëshortët.
Zyrtarët lokalë paralajmërojnë se radhët mund të jenë të gjata dhe duhet pritur shumë. Clayton Chau drejton agjencinë e kujdesit shëndetësor në kontenë Orange.
“Do t’ju kërkoja që për disa javë të tregoni durim derisa të marrim më shumë vaksina dhe t’u jepni përparësi vaksinimi të moshuarve dhe më të rrezikuarve me probleme kronike shëndetësore.”
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka njoftuar fillimin e fazës së parë, që përfshin vaksinimin e punonjësve të shëndetit dhe personat mbi 65 vjeç. Në këtë kategori përfshihen mbi 6.5 milion njerëz. Aktualisht nuk ka vaksina të mjaftueshme në atë shtet.
Parku Disneyland nuk u zgjodh aksidentalisht si qendër e madhe vaksinimi, thotë zyrtarja e shëndetit të kontesë Organge Molly Nichelson.
“Disney është treguar një partner shumë i mirë dhe është punëdhënësi më i madh në kontenë Orange. Është emër i njohur dhe dihet se ku ndodhet. Njerëzit kanë një ndjesi të mirë për Disneyland.”
Parku është mbyllur që nga marsi i vitit 2020 dhe vetëm kohët e fundit janë hapur disa dyqane. Por pjesa argëtuese e parkut mbetet e mbyllur.
Banorët e qytetit Anaheim duan të vaksinohen sa më shpejt që të munden që t’i kthehen punës në restorantet, dyqanet dhe hotelet e shumta në zonën përreth parkut Disneyland.
“Vendosa të vaksinohem sepse punoj për publikun. Të sigurohem që të mbroj veten dhe të tjerët”, thotë Sonya që jeton aty pranë.
Një tjetër qendër e madhe vaksinimi është hapur edhe në stadiumin Dodger në Los Anxhelos, me kapacitet injektimin e deri 12 mijë njerëzve në ditë. Po ashtu edhe San Diego ka hapur një qendër vaksinimi dhe kudo ka radhë të gjata të njerëzve që presin të vaksinohen dhe t’i kthehen asaj që dikur ishte një jetë normale. /express/ KultPlus.com