21 Tetor, 2024 - 1:52 pm
Parku Divjakë-Karavasta është një prej aseteve më të çmuara të pasurive natyrore, por edhe destinacion ekoturistik, që vetëm në muajin shtator ka pritur mbi 37 mijë vizitorë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shkroi në rrjetet sociale se, ditëlindja e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, u kremtua me një “tryezë të gjelbër”, mbushur plot me bashkëpunëtorë dhe të rinj, të cilët japin me pasion dhe përkushtim kontributin e tyre të vazhdueshëm për mjedisin dhe zonat e mbrojtura.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, e përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Është shpallur edhe si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022 ky park u zgjerua nga 22 230.2 ha në 22 389.08 ha.
Shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, gjendet rreth 5 km larg qytetit të Divjakës dhe afro 70 km larg Tiranës. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.
Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë, dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri. 89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri. 42 specie i përkasin kategorive shumë të rrezikuara, duke përfshirë rrezik kritik, të rrezikuara dhe vulnerabël. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirë sonë bregdetare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut./atsh/KultPlus.com