Parku i liqenit të Ulzës, gërshetim i habitatit ujor me atë tokësor

2 Tetor, 2023 - 9:02 am

Gërshetimi i habitatit ujor me atë tokësor i shton vlerat natyrore dhe vizuale Parkut Natyror “Liqeni i Ulzës”.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura solli në vëmendje këtë pasuri natyrore duke theksuar se habitatet tokësore përbëhen nga lloje të ndryshme shkurrore dhe drunore, të tilla si: frashëri, shkoza, cërmedelli, shparthi etj.

Habitate të tilla janë po ashtu një strehë e mirë edhe për faunën e egër, ku gjejmë: ujku, derri i egër, kaprollin, zogjtë e malit, etj.

Liqenet e Ulzës dhe Shkopetit, pjesë të Bashkisë Mat, vetëm 60 kilometra larg kryeqytetit, kanë marrë vlerë të shtuar të një atraksioni të veçantë, me shpalljen zona bashkëmenaxhuese peshkimi.

Plani i bashkëmenaxhimit për liqenet e Ulzës dhe të Shkopetit u miratua në vitin 2018, duke përcaktuar që masat menaxhuese të peshkimit duhet  të përputhen me statusin mjedisor të zonës.

Parku Natyror Rajonal ka një sipërfaqe prej 4.206 ha, ku pjesën kryesore e zënë sipërfaqet me pyje dhe përfshin dy liqenet, atë të Ulzës dhe të Shkopetit, si zona të rëndësishme për konservimin e biodiversitetit, por gjithashtu edhe potencialin e madh për zhvillimin e ekoturizmit.

Plani menaxhues me Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit vlerësohet nga institucionet si modeli më efikas në drejtim të ruajtjes dhe rritjes së rezervës së peshkimit, menaxhimit më të mirë të burimeve dhe mjeteve të peshkimit. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme