Parku Natyror i Porto Palermos, vlerë e çmuar natyrore dhe historike

19 Mars, 2025 - 9:00 am

Parku Natyror “Porto Palermo” përbën një vlerë të çmuar natyrore dhe historike.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale pamje të kësaj zone mbresëlënëse bimësia e së cilës karakterizohet nga prezenca e Euphorbia dendroides, i cili përbën dhe një nga habitatet më të mirëmbrojtura të kësaj specieje në Shqipëri.

Porto Palermo është gjithashtu një habitat mjaft i rëndësishëm për specie të tjera me vlerë, siç janë Lithophylum byssoides dhe livadhet me Posidonia oceanica.

Parku Natyror “Porto Palermo” është shpallur me VKM  në vitin 2022, kategoria IV e zonave të mbrojtura. “Parku Natyror” i Gjirit të Porto-Palermos ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1 694.98 ha, nga e cila: 1 490.4 ha ose 87.93% janë sipërfaqe detare dhe 204.58 ha ose 12.07% janë sipërfaqe tokësore.

Zona e Porto Palermos – Llamanit, sidomos gjiret, janë një burim shumë i rëndësishëm për peshkimin dhe marinë-kulturën.

Livadhet me Posidonia formojnë lëndina nëndetare. Hapësira e pastër detare-bregdetare me vlera nënujore ende të paprishura, si prania e mbetjeve arkeologjike (amforat) të shekullit II para Krishtit, është fantastike për zhytësit. Në zonë janë edhe tri qendra të rritjes së peshkut (marinë-kulturë)./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme