Parku shumëfunksional “Vala” në Durrës, destinacion i ri për të rinjtë e fëmijët

11 Janar, 2023 - 2:59 pm

Parku i madh shumëfunksional “Vala” në lagjen 18 të Durrësit, pjesë e programit kombëtar “Dua të Luaj”, do të krijojë një destinacion të ri për të rinjtë e fëmijët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga punimet që po kryhen në këtë park

“Një nga kantieret e reja të Rilindjes së Durrësit është kantieri i ndërtimit të parkut të madh shumëfunksional “Vala” në lagjen 18, pjesë e programit kombëtar “Dua të Luaj”, ku do të krijohet një destinacion i ri për të rinjtë e fëmijët”, shkruan Rama.

Ky park me sipërfaqe 8 mijë metra katrorë do të ketë fusha sportive volejbolli, basketbolli, tenisi, minifutbolli, palestër të hapur, lojëra për fëmijë, zona pushimi si dhe gjelbërim, dedikuar për të gjithë qytetarët.

Ndërtimi i këtij parku vjen në kuadrin e programit të ri kombëtar të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) “Dua të Luaj”, i cili do të sjellë disa parqe të mëdha urbane në një sërë qytetesh të vendit.

Programi Kombëtar për ndërtimin e parqeve të mëdha urbane në disa qytete të vendit pason ato të Rilindjes Urbane dhe “100 Fshatrat”. / KultPlus.com

Të ngjajshme