14 Shtator, 2020 - 9:40 am
Një parku në qytezën e Dangedongut në Australi i është vënë emri i fshatit shqiptar Këshava, i cili ndodhet në Maqedoninë e Veriut. Ky emër është zgjedhur në nder të kontributit të tri emigrantëve shqiptarë Jakup Rustemi, Tahir dhe Vefki Rasimi, të cilët u zhvendosën në këtë vend në 1963.
Qyteti Dandenong ndodhet 32 kilometra në juglindje të Melburnit, ku Jakup Rustemi është regjistruar në vitin 1963, dhe vetëm disa muaj me vonë mbërrijnë dhe vëllezërit Tahir dhe Vefki Rasimi, të gjithë me prejardhje nga fshati Këshave rrethi i Manastirit (qyteti i Alfabetit).
Sot mbas 57 viteve në qytetin Dandenong jetojnë afro 4000 shqiptare, shumica të përqendruar në lagjen Dandenong South.
Prej vitesh ky qytet drejtohet nga shqiptari Jim Memeti. Kryebashkiaku shqiptarë i Dangedongut rikandidon sërish këtë vit për drejtimin e bashkisë.
“Me suportin tuaj unë do të vazhdoj të jap kontributin maksimal për këtë vend”, shkruan Memeti në posterin elektoral për zgjedhjet që do të mbahen në fillim të tetorit.
Shqiptarët e Këshavës erdhën nga Shqipëria jugore dhe për këtë arsye ata thonë se janë Toskë. Shqiptarët në Këshavë ndryshojnë në të folurit dhe tipare të tjera nga bashkëkombësit e tyre nga fshati fqinj Ostreci.
Arsyeja për këtë është se shqiptarët në Ostrec dhe Zllokuqan janë me origjinë nga Shqipëria e veriut (nga grupi Gegë).
Në fillim të shekullit XIX, shqiptarët myslimanë nisën të emigronin. Ata e quajtën fshatin pas kishës së vjetër Këshava (nga fjala shqip, kishë). Në shekullin 19, Këshava ishte një fshat të kazasë e Manastirit të Perandorisë Osmane.
Sipas statistikave të Vasil Kënçovit (“Etnologjia dhe Statistikat e Maqedonisë”), që nga viti 1900, Këshava kishte rreth 700 banorë, të gjithë myslimanë shqiptarë. Sot, Këshava është një fshat shqiptar. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com