Parlamenti i Shqipërisë miraton rezolutën për Kosovën

12 Tetor, 2023 - 4:57 pm

Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar rezolutën në mbështetje të Kosovës me 101 vota pro dhe asnjë kundër.

Rezoluta e parlamentit shqiptar dënon sulmin me armë në Banjskë të Kosovës nga një grup i armatosur serb, ku mbeti i vrarë një efektiv i Policisë së Kosovës.

Rezoluta në mbështetje të Kosovës u votua teksa deputetë të opozitës ishin mbledhur në foltoren e Parlamentit.

Shumica dhe opozita ranë dakord për një rezolutë të përbashkët në mbështetje të Kosovës.

Në rezolutë thuhet se Kuvendi është thellësisht i shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit.

Parlamenti i Shqipërisë mbështet plotësisht rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 28 Shtator ku përgjegjës për këtë ngjarje bëhet Republika e Serbisë.

“Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”.

Pika e tretë e rezolutës inkuranjon qeverinë e Kosovës që së bashku me faktorin ndërkombëtar t’i bashkohet procesit për arritjen finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj”./Klantv/KultPlus.com

Të ngjajshme