Pas 114 vjetësh, festa e Viti të Ri nuk do të pritet në “Times Square”

25 Shtator, 2020 - 10:33 am

“Times Square” i Nju Jorkut do t’i japë lamtumirën vitit 2020 pa festimet e zakonshme me grumbuj njerëzish që bllokojnë rrugët për Vitin e Ri, shkruan DailyMail, përcjell KultPlus.

Këtë vit “Times Square” do të rrethohet nga Policia e Nju Jorkut më 31 Dhjetor. Ndërkaq organizatorët po planifikojnë një ngjarje virtuale dhe një aplikacion ku njerëzit mund të ndjekin numërimin për 2021 nga larg.

Aleanca “Times Square”, e cila drejton ngjarjen, tha se vetëm një grup shumë i kufizuar i njerëzve do të lejohen të hyjnë në shesh për qëllime transmetimi.

 “Do të ketë disa aktivitete të distancuara nga shoqëria në “Times Square”, por do të jetë kryesisht për transmetim te audienca”, tha Tim Tompkins, Presidenti i Aleancës Times Square, për New York Post.

Jamestown, i cili zotëron One Times Square, ka ndërtuar një botë virtuale të Time Square dhe një aplikacion për të transmetuar numërimin e Vitit të Ri. Aplikacioni do të lejojë që njerëzit nga e gjithë bota të përjetojnë momentin.

Kremtimi i Vitit të Ri në Times Square është ndër më të mëdhatë në botë, duke tërhequr zakonisht rreth një milion njerëz në rrugët e qendrës së Manhatanit, me më shumë se një miliard përcjellje në televizion./KultPlus.com

Të ngjajshme