24 Maj, 2021 - 10:23 am
Për më shumë se shtatëdhjetë vjet, një kishë e vetme që ngrihej nga mesi i një liqeni dukej se ishte gjithçka që kishte mbetur nga fshati italian Curon. Kjo pamje e çuditshme u bë e njohur në mesin e turistëve që kërkonin të krijonin postime të pazakonta në “Instagram” dhe madje shërbeu si frymëzim për romanin “Resto Qui” (“Po pushoj këtu”) të Marco Balzanos, botuar në vitin 2018, si dhe për “Curon” (2020) të Netflix-it.
Kambanorja ikonike e shekullit të 14-të ishte e vetmja mbetje e dukshme e një fshati që dikur strehonte afërsisht 900 njerëz. Curon kishte qenë pjesë e Austrisë deri në vitin 1919, kështu që banorët, shumë prej tyre që nuk mund të flisnin italisht, nuk kishin arritur ta ndalonin planin për t’i bashkuar liqenet Resia dhe Curon – dy nga tri pellgjet natyrore në zonën e Pass Resia të Alpeve Jugore – gjë që çoi te përmbysja e shtëpive të tyre për hir të prodhimit të energjisë hidroelektrike. Ndërtimi i digës u shty për pesë vjet, për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Përkundër përpjekjeve lokale, Curon përfundimisht u përmbyt në vitin 1950. Fshati Curon i provincës Ventosa, nga i cili mund të shihet qytet i përmbytur, sot ka rreth 2500 banorë dhe u ngrit në këmbë pas zhdukjes së fshatit origjinal.
Në prill, fshati i zhdukur filloi të rishfaqej ndërsa punëtorët thanin liqenin për të kryer riparime në hidrocentral. Sidoqoftë, shkallët prej guri të ekspozuara, muret dhe bodrumet e harkuara, të gjitha kaluan kryesisht pa u vërejtur, pasi hapësirat turistike ishin të mbyllura për vizitorët, për shkak të pandemisë globale. Kanë mbetur edhe disa javë derisa Curon të rimbushet me ujë, pasi kompania energjetike që zotëron digën ngadalë po e rimbush liqenin.
I njohur si liqeni Resia, ose Reschensee në gjermanisht, vendndodhja e ish-qytetit është afër kufijve të Austrisë dhe Zvicrës. Fotografitë dhe videot e fshatit të braktisur janë shfaqur në mediat sociale, duke treguar rrënojat në mjedisin e tyre piktoresk midis kodrave të Tirolit të Jugut. Dimri do të nxisë një tjetër valë turistike. Legjenda thotë se mund të ecësh deri te kulla kur liqeni është i ngrirë dhe mund t’i dëgjosh kambanat e kishës duke rënë – edhe pse ato pushuan qysh në vitin 1950. /koha/ KultPlus.com