3 Janar, 2023 - 1:53 pm
Në mbrëmjen e tretë të “Festivalit të Këngës”, artistët pjesëmarrës kënduan në duete me artistë të tjerë të njohur. Elsa Lila riktheu pas 25 vitesh këngën e saj ikonike “Pyes Lotin”, fituese e çmimit të parë të Festivalit në RTSH në vitin 1996. Elsa Lila e këndoi këngën e saj në një duet me reperin Capital T. Mirëpo kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga kompozitori i këngës Valentin Veizi.
Ai shkroi më herët se kënga është rikënduar pa lejen e tij si autor dhe kompozitor i saj dhe sipas tij ky është një version i shëmtuar i këngës së tij.
Së fundmi, në një intervistë për “Euronew, kompozitori tregoi se nuk ka folur me Elsa Lilën, ndërkohë që ka ndjerë dhimbje kur ka parë këngën e tij “të deformuar”.
“Duhet të komunikonin ata me mua për këtë mendim që kishin. Nuk kam arsye të flas me këdo, nuk do e bëj pazar me muhabete telefoni. Shikoj në YouTube, në ekran këngën time, e dëgjoj me autor tjetër, një këngë që unë jam krenar për” Pyes Lotin “. Unë kam thënë mos ma bëni pis, në fakt është më tepër, është dhimbje. Më mirë mos e kisha dëgjuar në fakt, ka keqen jam ndjerë kur kam dëgjuar atë këngë në atë variant që u soll”, theksoi ai,
Pas ankesës së Veizit, YouTube i ka dhënë të drejtë duke fshirë këngën e versionit të ri. Pavarësisht kësaj, kompozitori tha se nuk është një luftë personale sesa me fenomenin e grabitjes dhe tjetërsimit të këngëve, pa lejen e autorëve.
”Pyes Lotin “e merr X-Y, pa leje dhe e bën si do vet. “Këputa një gjethe dafine” e merr një reper tjetër, “Për ty atdhe” e merr dikush tjetër. Çfarë mbetet? Po shndërrohet kultura e këngës shqiptare, dëmi është shumë i fuqishëm. Nuk jam kundra sjelljes në kohë, unë kam shumë këngë që janë sjellë ndryshe, por pa ndryshuar strukturën dhe duhet kujdes me këtë punë. Nuk preket, janë disa gjëra që nuk preken. Mos i prek se të djegin, mos e prek zjarrin. Ti mund te marrësh tokën e dikujt është ta nxjerrësh e nga shtëpia, por artin nuk e merr dot”, nënvizoi Veizi. / KultPlus.com