12 Shkurt, 2022 - 5:52 pm
Identifikimi i një objekti me kaq rëndësi për kombin shqiptar, nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo meriton një vëmendje të veçantë për nga rëndësia dhe unikaliteti që ajo mbart në vetvete.
Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka.
Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e 10 shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë të njeriut të madh.
Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte grykën e pushkës.
Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.
Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar, atëherë i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.
Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.
Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora 10:00. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.
Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.
Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.
Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.
Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“MBRETNIJA SHQIPTQRE
PREFEKTURA MBRETNORE
VLONЁ
Nr. 172
Vlonë me 21. Kallnuer. 1933
P.T.
Ministris Arsimit
Tiranë
Këtu ngjitun kemi nderin me ju paraqit process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim të Flamurit që asht ngritun për të parën herë në Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit.
Gjithashtu në pako të veҫantë dhe po me këtë shkresë dërgohet edhe Flamuri në fjalë.
Shtojmë se me gjithëse Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur asht ngritur për të parën herë në ndërtesën Qeveritare më dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur asht ngritur me të vërtet me 28 Nanduer 1912, por jo në ndërtesën Qeveritare, por në Zyren e doganave në Vlonë.
Lutemi me na njoftue marrjen në dorëzim.
Prefekti
Shkruar me dorë:
“T’i dërgohet ky
flamur Bibliotekës”
Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:
“asht këtu në bibliotekën t’onë”
28/10/33
Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:
“Marrë në dorëim me 29-X-933”.
Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:
“PROCES-VERBAL
Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shénjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqësis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe të Prefektit të Vlonës Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.
Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arsimit Shk. tij Z. Hil Mosi për ta depozituar në Muzeun Kombëtar në Tirané.
Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënshkruem prej të gjithëve qe përmenden ma sipër.
Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“ MINISTRI E ARSIMIT
Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.
Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë
Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.
Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.
Ministr’i Arsimit, Mirash Ivanaj (firma)
Nisur me 6/XI/1933”
Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.
Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.
“M.A.
Nri 402/749
Flamuri i Vlorësë
Mënistërijës’ së Arësimitë
Q y t e t
Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:
Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.
Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë, 9 Vjesht’ e Tretë 1933 / Drejtori (Firma dhe vula )
Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa
e jonë Nri C. 208”
Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.
“Flamuri i Vlorës”
Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:
Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta ndonjë ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.
Tiranë, 10 shkurt 1936”
Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:
“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.
Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.
Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.
Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:
Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,
Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,
Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,
Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.
Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë Muzejës’ Kombëtare është muu ay që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.
Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:
Tiranë, 10 Shkurt 1936”
Më poshtë, majtas, është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.
Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtr i kaluan Instituit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.
Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.
Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!
Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.
Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit./Ariola Prifti /Frederik Stamati/ KultPlus.com