12 Maj, 2024 - 3:00 pm
Pianistja kosovare, Lule Elezi, ka marrë tri ftesa të tjera për koncerte recitale në Poloni, përcjell KultPlus.
Këto koncerte vijnë pas paraqitjes së suksesshme që Elezi pati në Varshavë me rastin e Pavarësisë së Kosovës.
Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e Lule Elezit:
Pas koncertit të suksesshëm mbajtur në Universitetin e Varshavës, nën organizimin e shkëlqyer të Ambasadorit Drilon S. Gashi me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ftohem sërish në Poloni nga tri institucione polake për tri koncerte recitale përpara një audience të mrekullueshme.
Muzika buron e rrjedh gjithmonë nga shpirti, por në këto koncerte çdo notë do ia kushtoj me zemër Babait tim, i cili u nda nga jeta së fundmi.
Dëshira e tij ishte të vazhdoj të luaj piano e të emocionoj publikun me interpretimet e mia, kësisoj unë do e përçoj magjinë e muzikës në çdo frymëmarrje timen./KultPlus.com