Pas lajmit të KultPlus se Kabashi nuk u respektua për mozaikun e Bllacës, Komuna e Suharekes kujtohet ta nderojë

20 Prill, 2021 - 1:48 pm

Ditë më parë në Bllacën e Hanit të Elezit është përuruar ‘Muri i Kujtesës’, në qendër të së cilit qëndron fotografia e Sherife Lutës me vajzën e saj Besianën, teksa po iknin nga ushtria serbe. Ky mozaik është punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm nga Fatos Kabashi për rreth gjashtë muaj. Por, gjithë kjo punë nuk ka mjaftuar për prezantuesit e organizatorët e ngjarjes të cilët nuk e prezantuan fare autorin e mozaikut.

Pas kësaj ndodhie, Fatos Kabashi në një intervistë për KultPlus ka shprehur shqetësimin e tij rreth së drejtës autoriale për mozaikun e nënës shqiptare Sherife Lutës me vajzën e saj Besianën, për çka nuk është nderuar ana e organizatorëve.

Lajmi i KultPlus për mos respektimin e punës së autorit arriti të shpërndahet shumë dhe kështu t’i kujtojë Komunës së Suharekës që të nderojë punën e Kabashit.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka falënderuar sot Kabashin për punën profesionale dhe pasionin e tij duke potencuar se puna e Kabashit dhe veprat e tij artistike e kanë nderuar kudo Komunën e Suharekës, e për të cilën do të mbështetet gjithmonë nga ana e tij.

Autori i këtij mozaiku, i cili njëkohësisht ka mbajtur një numër të madh të ekspozitave dhe mozaikëve, duke fituar edhe çmime si: ‘Muslim Mulliqi’ dhe ‘Fytyra Universale’, është shprehur i lumtur për këtë nderim nga ana e komunës së Suharekës. / KultPlus.com

 

Të ngjajshme