Pas mbylljes së shkollave, fëmijët afganë punojnë në fushat e drogës: Ne jemi të varfër, nuk kemi tjetër mundësi

15 Korrik, 2020 - 10:32 am

Në provincën Badakhshan të Afganistanit, është rritur numri i fëmijëve që po punojnë në fushat e mbjellura me bimë nga të cilat prodhohet droga. Kjo dukuri ka ardhur si pasojë e mbylljes së shkollave për shkak të pandemisë.

Një fëmijë 10-vjeçar afgan shihet duke punuar në këto fusha me babanë e vet. I pyetur nga gazetari se çfarë bën aty, djaloshi përgjigjet: “Unë mbledh opium.” Më pas, ai pyetet se sa paguhet në ditë për këtë punë dhe përgjigjet: “50 afganë” (rreth 57 centë).

Si ai janë duke punuar edhe shumë fëmijë të tjerë afganë. Një djalosh tjetër tha: “Unë jam në klasën e gjashtë, por shkollat këto ditë janë mbyllur dhe unë nuk kisha punë. Për këtë arsye, erdha këtu për të mbledhur opium në fushat e fqinjëve. Unë vij nga një familje e varfër. Ne nuk kemi tokë tonën.”

I pyetur se sa fiton gjatë ditës, djaloshi i paidentifikuar tha: “Unë i mbledh 20 gramë opium dhe i shes për 100 afganë (1.13 dollarë) dhe i shpenzoj për nevojat e përditshme të familjes”, shtoi ai, shkruan “Free Europe”, transmeton KultPlus.

Në këto fusha u panë duke punuar edhe disa vajza. “Edhe unë jam në klasën e gjashtë, por për shkak se shkollat janë mbyllur, unë vij këtu me babanë për të mbledhur opium. Ai m’i jep 20 ose 30 gramë në ditë dhe unë e shes”, tha një vajzë.

Të rriturit thonë se i kultivojnë këto bimë, sepse bimët e tjera nuk sjellin fitim. “Unë jam një njeri i varfër. Nuk kam tjetër mundësi. I sjell këto gra dhe vajza për të më ndihmuar për të mbledhur opium”, tha Saleh Mohammad.

I pyetur se a frikësohet që fëmijët mund të bëhen të varur nga opiumi, ai tha: “Jo, ata nuk e përdorin atë, vetëm e shesin dhe i marrin të hollat.” / KultPlus.com

Të ngjajshme