Pas përgjysmimit të dënimit për Darko Tasiqit për krime lufte, reagon Vasfije Krasniqi

1 Dhjetor, 2020 - 5:06 pm

Pas publikimit të lajmit se Gjykata e Apeliti ka përgjysmuar dënimin e Darko Tasiqit, i cili në qershor të këtij viti ishte dënuar me 22 vite për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit, ka reaguar Vasfije Krasniqi, shkruan KultPlus.

Krasniqi nëpëmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se është i turpshëm vendimi për përgjysmimin e këtij dënimi.

“Shameful. Si ju përgjysmohet dënimi një kremjneli?”, ka shkruar ajo.

 Në një njoftim për media, Apeli gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit. Tani është ndryshuar cilësimi juridik i veprës dhe vendimi mbi dënimin. Tani Tasiq do të vuajë dënimin prej 11 vjetësh burgim.

“Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë( LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3 Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj. I akuzuari, është dënuar nga Gjykata e Apelit më 11( njëmbëdhjetë) vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim”, thuhet në njoftim të Apelit.

Tasiqi ishte dënuar më 22 qershor me 22 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit./ KultPlus.com



Të ngjajshme