16 Maj, 2021 - 5:18 pm
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nesër (17 maj 2021), duke filluar nga ora 12:00 do të mbajë protestë pranë Ministrisë së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, shkruan KultPlus.
Në njoftimin e bërë nga ky kolektiv theksohet se po protestohet kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore.
Protesta e nesërme do të ketë tre kërkesa kryesore që përfshijnë; futjen e edukatës seksuale në shkolla, ambientet e sigurta për nxënëset/it dhe punësimiin e punëtoreve/ëv socialë dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë:
Gjeni më poshtë thirrjen e plotë:
Dje, në shkollën “Faik Konica” u bë publik rasti i një sulmi seksual ndaj një nxënëse në klasën e parë nga tre nxënës të klasës së shtatë. Ky rast, i cili nuk mund të lexohet si rast i izoluar, është duke e shpërfaqur edhe një herë, në mënyrë të frikshme realitetin e vajzave.
Vajzat janë duke u ballafaquar me dhunë e abuzim seksual në shkolla, pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike.
Andaj, nesër, në ora 12:00, mblidhemi pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për të protestuar kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore.
Protesta do t’i ketë tri kërkesa kryesore:
1. Futja e edukatës seksuale në shkolla;
2. Ambiente të sigurta për nxënëset/it;
3. Punësimi i punëtoreve/ëv socialë dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.
Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik./ KultPlus.com