17 Janar, 2022 - 4:10 pm
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ripërsëritur thirrjen për respektim të masave për mbrojtje nga pandemia Covid-19 nga ana e të gjithë akterëve të përfshirë në institucionet edukativo-arsimore.
Ministrja ka theksuar se respektimi me përpikëri i masave të rekomanduara nga ekspertët shëndetësorë, përveç që është është domosdoshmëri për mbrojtjen e shëndetin publik, është edhe mundësia më e mirë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor me prezencë fizike në shkollë.
Ndërsa, sot ministrja Nagavci ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemaili” në Prishtinë, pas shqetësimeve që janë pranuar dhe nga menaxhmenti është informuar për situatën pandemike në këtë institucion arsimor.
Me këtë rast, ajo ka theksuar faktin se mbeten në fuqi të gjithë skenarët e përcaktuar me Udhëzimin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.
Ministrja rikujtoi se është kompetencë e task forcave të shkollave dhe komunave që të vendosin për organizimin e mësimit sipas skenarëve të përcaktuar në Udhëzues, duke vlerësuar gjithmonë situatën pandemike në institucionin përkatës.
Në rast të kalimit të zhvillimit të procesit mësimor sipas skenarit C (mësim nga distanca), ministrja Nagavci tha se është e domosdoshme të bëhet orari dhe të sigurohemi se mësimi është duke u zhvilluar në ndonjërën nga platformat online.
Ministrja Nagavci tha se në rast nevoje, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për zhvillimin e mësimit online, derisa mësimdhënësit janë të lirë të përdorin edhe platforma të ndryshme, thuhet në postimin në Facebook të MASHTI-t. /KultPlus.com