23 Qershor, 2020 - 2:06 pm
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një statusi ka njoftuar së pas shumë përpjekjeve, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, shkruan KultPlus.
Ajo gjithashtu është shprehur se fëmijët shqiptarë në Serbi, meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe.
“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
Kemi filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, sepse besojmë fuqishëm që fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim.
Komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij. Përgëzoj edhe Ministrin Gent Cakaj për angazhimin e tij që kontribuoi për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë.” – ka shkruar Shahini. / KultPlus.com