Pas vrasjes së 25 vjeçarit, dorëhiqet ministri i brendshëm i Shqipërisë

10 Dhjetor, 2020 - 7:53 pm

Pas trazirave në Shqipëri ku mbeti i vrarë nga policia i riu Klodian Rasha, ministri i punëve të brendshme, Sandër Leshaj ka dhënë dorëheqje, shkruan KultPlus.

Ministri i brendshëm nëpërmjet një deklarate drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë dorëheqjen e tij pas protestimeve të shumta rreth vrasjes së 25 vjeçarit.

“Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë”, ka thënë në deklaratë Leshaj.

KultPlus ua sjell të plotë deklaratën e ish-ministrit të brendshëm, Sandër Leshaj:

Deklaratë e Ministrit të Brendshëm Sander Lleshaj

Tiranë, 10.12.2020

Edhe pse në jetën time kam pasur shumë detyra të rëndësishme shtetërore, kurrë nuk kam luftuar apo bërë përpjekje të posaçme për të marrë ndonjërën prej tyre. Të gjitha kanë ardhur si produkt rrethanash të caktuara, ku unë kam qenë i thirrur.

Kur u thirra nga Edi Rama për të kryer detyrën e ministrit të brendshëm në vitin 2018, isha krejt i vetëdijshëm për atë që më priste. Duhej të ecja në një fushë të minuar herët, që nga dita e krijimit të shtetit shqiptar.

U gjenda përpara dilemës që kishte përjetuar Patër Anton Harapi, kur pranoi të merrte një post të lartë shtetëror në vitin e mbrapshtë 1943. Dilema e prelatit të madh në ato kohë të tmerrshme ishte: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue.

Edhe unë me ndërgjegje të plotë vendosa të “baj nji marri”, sepse nuk mund të tregoja dobësi.

Isha i qartë se e gjithë përpjekja ime do të ishte vetëm në funksion të konsolidimit të shtetit shqiptar, dhe se pikërisht për këtë arsye, do të isha në shënjestrën e atyre që shtetin shqiptar e luftojnë sistematikisht që nga dita e krijimit të tij. Në se nuk i njihni, mundohuni të kujtoni ata që vënë zjarr mbi institucionet e Shqipërisë, vrasin dhe plagosin policët e saj, që e vjedhin, e shajnë dhe e shëmtojnë pa mëshirë atë.

Nuk kam pasur për asnjë çast iluzionin se unë do ta ndryshoj ministrinë apo Shqipërinë. Megjithatë jam përpjekur me të gjitha energjitë e mia për të lënë një gjurmë normaliteti në ushtrimin e detyrës.

Pas dy vjetësh, deklaroj me përgjegjësi të lartë se Shqipëria është një vend më i sigurtë, me më pak vrasje, më pak banda, më pak kanabis, më pak aksidente dhe me më pak krim se kurrë më parë në historinë e 30 vjetëve të fundit. Kjo tablo nuk është meritë e imja, por e qytetarëve shqiptarë, e policëve shqiptarë dhe e gjithë atyre që punojnë përditë për Shqipërinë.

Në të njëjtën kohë, ata që historikisht e kanë vrarë, djegur, vjedhur, dhunuar, turpëruar dhe shëmtuar Shqipërinë, po përpiqen sot që të gjejnë një pretekst për të nisur një sulm të ri kundër vendit, në vijim të përpjekjeve për ta mbajtur atë në gjendje amullie dhe larg trungut amë europian.

Të aftë për të mos pasur turp as márre përpara asgjëje, ata po përpiqen të përdhosin një mort të dhimbshëm të një djali të ri, të vrarë padrejtësisht nga një punonjës policie që është arrestuar menjëherë pas ngjarjes, për të sulmuar barbarisht policët e tjerë të Shqipërisë dhe institucionet e shtetit tonë.

Ministria e Brendshme është pozicionuar menjëherë drejt, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e punonjësit të policisë që sollën vdekjen e një qytetari, duke bërë kështu një akt elementar përgjegjshmërie, por edhe të pazakontë në historinë e re të vendit.

Qytetarët e Shqipërisë nuk mund të harrojnë kurrë se ata, që sot ngrenë gishtin për të akuzuar dhe dorën për të goditur, më 21 janar 2011 vranë katër qytetarë, plagosën qindra të tjerë, në një kasaphanë politike barbare në mes të kryeqytetit, dhe e thelluan më tej mynxyrën, duke shkatërruar provat e krimit shtetëror dhe duke refuzuar madje edhe zbatimin e urdhrave të prokurorëve për arrestimin e autorëve, gjë e panjohur në ndonjë vend normal. Nuk mund të harrohen ata që kurrë nuk kërkuan as ndjesë për masakrën që dirigjuan vetë dhe që vijojnë edhe sot që ta quajnë të drejtë këtë turp të madh përpara Zotit, popullit dhe shtetit shqiptar.

Përballë përpjekjes së autorëve të 21 janarit 2011 për të kërkuar sot një pretekst të ri për të mbjellë dhunë mes shqiptarësh bazuar mbi një episod tragjik dhe fatal, si dhe me vetëdijen e plotë se vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike kam vendosur të jap dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.

Nuk kam dashur në asnjë çast që sjellja ime në krye të Ministrisë së Brendshme t’i ngjajë asaj të shumë të tjerëve dhe sidomos asaj të autorëve të masakrave të 1997-ës, të 1998-ës dhe veçanërisht të 2011-ës.

Ndaj jam sot pafundësisht i lumtur që arrita të provoj përpara çdo shqiptari se unë nuk jam si ata. Jo. Nuk jam si ata.

Edhe pse, që nga dita e parë e marrjes së detyrës, më është dashur të përballoj një seri aktesh të dhunës histerike apo të angazhohem për policë të plagosur në detyrë nga verbëria e dhunës antishtet, asnjëherë nuk u ngjita gjatë protestave tek snajperët në tarracën e Kryeministrisë, siç bënin pa turp autorët e 21 janarit, asnjëherë nuk lejova përdorimin e armëve në protestat politike, asnjëherë nuk mora në mbrojte ndonjë polic apo person tjetër që shkeli ligjin dhe asnjëherë nuk u kërkova të tjerëve ndonjë standard që nuk e zbatoja vetë.

Janë këto arsye që më kanë bindur se TANI ËSHTË MOMENTI për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011.

Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar.

Përgjatë më shumë se dy vjetëve në krye të Ministrisë së Brendshme, u përpoqa dhe arrita të ndryshoj për mirë shumë gjëra dhe e mbyll misionin tim me rekordet më të mira historike në fushën e rendit dhe të sigurisë publike në 30 vjetët e fundit të historisë së Shqipërisë.

U identifikova me vetëdije me çdo polic të Shqipërisë dhe i mbeta besnik këtij standardi.

Edhe sot besoj se tek punonjësit e policisë qytetarët duhet të shohin Ministrin e Brendshëm, për sa kohë ministri pajtohet dhe pranon sjelljet apo qëndrimet e këtyre punonjësve.

Të gjitha gjërat që arrita të bëj në shërbim të konsolidimit të shtetit shqiptar janë hipoteka ime e rëndësishme që më bëjnë sot personalisht të ndihem mirë përpara qytetarëve shqiptarë dhe plot mirënjohje për kontributin e gjithë personelit të strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe atë të bashkëpunëtorët e mi.

Në të njëjtën kohë, u përpoqa dhe arrita që të mos ta ndryshoj veten time. Mbeta ai që isha, me të njëjtën strehë familjare, me të njëjtën familje, me të njëjtët miq. Nuk mora asgjë nga posti, përveç pagës që ishte më e ulët se të ardhurat që kisha përpara se të bëhesha ministër, nuk bleva, nuk shita, nuk ndërtova, nuk……

Të gjitha këto gjëra që nuk bëra janë sot pasuria ime e pafundme që më bën të ndihem i fortë si shkëmb, i pastër si dritë dhe jashtëzakonisht i qetë.

E di fort mirë se shumëkush nuk është dakord sot me këtë vendim. Por megjithatë dëshiroj t’i garantoj ata se vendimi im vjen pikërisht në respekt të tyre dhe aspak si reagim ndaj atyre që e shajnë, shëmtojnë, vjedhin apo e djegin këtë vend.

Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë.

Ky akt vjen edhe si shenjë falënderimi për Kryeministrin Edi Rama, i cili besoi tek unë, duke ruajtur përherë një marrëdhënie në radhë të parë shumë njerëzore, pastaj edhe gjithnjë intelektualisht sfiduese dhe profesionalisht krejt të ndershme.

Dhe së fundi, por jo nga rëndësia, kjo është edhe shprehje dashurie, pse jo edhe një urim për Krishtlindjet, ndaj familjes time, asaj shumë të madhes, të madhes dhe të voglës, për të cilët mungova pothuajse krejtësisht për më shumë se dy vjet dhe që, megjithatë, vijuan të më duan e të më mbështesin si gjithmonë fort dhe pa kushte.

ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË! / KultPlus.com

Të ngjajshme