Pasojat e pandemisë, 9 milionë turistë në vit, sot Amsterdami është bosh

28 Maj, 2020 - 3:58 pm

Në ditë normale, është kjo pamja e një prej qyteteve më të vizituara në botë, Amsterdamit. Miliona turistë kanë vizituar çdo ditë qytetin, deri në 15 mars, kur Amsterdami dhe gjithë bota, mbyllën dyert për vizitorët për shkak të pandemisë koronavirus.

Sheshet kryesore të qytetit janë bosh, ndërsa lagjet e famshme të “dritave të kuqe”, tashmë janë të qeta, me rrugë të pastra, një ndjesi që vendasit thonë se nuk a e mbajnë mend kur ka qenë hera e fundit që e kanë provuar, ndoshta në vitet ’80.

1.3 milionë vizitorë gjatë vitit 2019, ose 108,000 mijë persona në muaj, janë të dhënat zyrtare të vizitave në shtëpinë e Anna Frank, nga këta 92% turistë të huaj. Edhe ky muze tashmë i ka dyert e mbyllura, ndërsa në një moment të dytë, drejtuesit do të llogarisin humbjet e këtyre muajve izolim.

“Amsterdami përllogaritet të ketë humbur rreth 90% të prenotimeve në hotele, por qyteti nuk duhet të nxitojë për të rihapur dyert për turistët e huaj”, thotë kryetarja e bashkisë, Femke Halsema.

Sipas saj, nëse duhet të respektohet distanca sociale, ndërsa qyteti ka 800 mijë banorë, ardhja e turistëve të huaj, do e bënte të pamundur respektimin e këtyre masave.

“E di që kemi 55 mijë shtretër hotelesh që presin miq, por duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm për të stimuluar turizmin rajonal, nacional apo ndërkombëtar. Nëse ne e ekzagjerojmë, rrezikojmë të kemi një valë të dytë të virusit” tha kryetarja e bashkisë, e gjendur përballë reagimeve të shumta nga sektori hotelier.

Sipas direktivave të BE-së, udhëtimet jo urgjente drejt Holandës, janë të pezulluara deri në datën 15 qershor, por vendi nisi një fazë rihapje në 11 maj kur niveli i vdekjeve u vu në kontroll.

Nga data 1 qershor do të rihapen baret dhe restorantet, por do të presin një numër të kufizuar klientësh. / KultPlus.com

Të ngjajshme