Pasurohet fondi i dokumenteve të Musine Kokalarit

9 Shkurt, 2022 - 3:50 pm

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka marrë në dorëzim një material dokumentar prej 3112 fletësh të shkrimtares, të etnografes dhe të veprimtares politike, Musine Kokalari.

Në ceremoninë e aktit të dhurimit ishin të pranishëm Drejtori i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido dhe Bibika Kokalari, e afërt e intelektuales së ndjerë.

Kreu i DPA-së bëri të ditur se mes dokumenteve të dhuruara, gjenden dorëshkrime të rralla dhe të pabëra publike të Kokalarit, një prej personaliteteve publike më të rëndësishëm të kulturës dhe të shkencës shqiptare.

“Dua të falënderoj veçanërisht Bibika Kokalari. E kuptoj që për pasardhësit është shumë e vështirë të ndahen nga këto dokumente, por nga ana tjetër, ndarja nga to vjen nga nevoja e madhe për t’i shpëtuar. DPA-ja i ka kushtet e ruajtjes së dokumenteve dhe mundëson që Musine Kokalari përmes dorëshkrimeve të saj të jetë e qasshme tek çdo studiues dhe rrjedhimisht të mund të përhapen idetë e saj”, theksoi Bido.

Ai i bëri thirrje të gjithë pasardhësve të personaliteteve të mëdha, siç është Musineja, që të dhurojnë dokumente në arkiv sepse është e vetmja formë për t’i shpëtuar ato.

Në fjalën e saj Bibika Kokalari tha se “akti i dhurimit të këtyre dokumenteve vjen i motivuar nga vullneti i diktuar prej Musinesë”.

“Dëshira e Musinesë ishte që një pjesë e dorëshkrimeve të saj të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit pranë Sotir Kolesë, pasi ai ishte mësuesi i saj i parë dhe ajo eci në gjurmët dhe mësimet e tij. Këtu do të gjeni dorëshkrime, shënime politike, etnografike, gjëegjëza, përralla të mbledhura nga të burgosura nga vende të ndryshme të Shqipërisë nëpër burgjet ku ajo kaloi një pjesë të mirë të jetës.”, tha Bibika Kokalari.

Dokumentet e dhururara, të cilat përfshijnë të dhëna mbi themelimin e Partisë Social-Demokrate (PSD), krijime letrare dhe trajtesa monografike, do të kalojnë nën administrimin dhe ruajtjen e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH).

Ky korpus i veprës së Kokalarit i bashkëngjitet kështu fondit personal të saj, të përbërë nga 100 dosje, që datojnë në intervalin e vjetëve 1921-1983, duke mbuluar në mënyrë të konsiderueshme jetëshkrimin e saj./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme