28 Prill, 2025 - 2:02 pm
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) i dhuroi botimet e saj Institutit të Albanologjisë në Prishtinë.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj qendre, prof. Diana Kastrati zhvilloi një takim me drejtorin e Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, prof. Naim Berisha, në ambientet e institutit, ku edhe dhuroi botimet e QSPA-së.
Në këtë takim u fol për projekte dhe bashkëpunime të mundshme në të ardhmen mes dy institucioneve.
Në bibliotekën e Institutit të Albanologjisë sapo është krijuar këndi i librave arbëreshë, ku botimet e qendrës janë të parët libra që e përurojnë dhe njëkohësisht pasurojnë këtë hapësirë mbi studimet arbëreshe.
Drejtoresha e QSPA gjendej në Prishtinë edhe për Panairin e Librit Akademik dhe Shkencor i cili u zhvillua si një bashkëpunim mes akademive të shkencave të dy vendeve, si edhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit./atsh/KultPlus.com