Shqipëria gati për sezonin veror: Mirëpresim çdo vëlla nga Kosova

18 Qershor, 2020 - 8:21 pm

Qendrim Badalli

Agjencia e udhëtimit “Fibula”, ka organizuar një udhëtim katër-ditor në Shqipëri të rreth tridhjetë gazetarëve nga Kosova, në prag të hapjes zyrtare të sezonit turistik 2020, shkruan KultPlus.

Gazetarët nga Kosova sot kanë vizituar “Gjirin e Lalzit”, i cili gjendet jo shumë larg nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Sa për të marrë një atmosferë të pushimeve në fillim e sipër, apo sa për tu njoftuar me ofertën turistike që ofron Shqipëria. E gjitha kjo, një ditë para takimit në Vlorë ku Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të bëjnë edhe zyrtarisht hapjen e sezonit turistik.

Tek “Gjiri i Lalzit”, pronari i këtij plazhi, Bujar Jeshili, në një intervistë për KultPlus, ka thënë me plotë entuziazëm “Mirëpresim çdo vëlla nga Kosova”



“Nga Kosova kemi pasur shumë turistë sidomos pas ndërtimit të autostradës, por megjithatë mendoj se Gjiri i Lalzit vazhdon të mbetet shumë pak i njohur për publikun. Është me të vërtetë një perlë e Shqipërisë. Mirëpresim çdo vëlla nga Kosova”
Ai ka thënë se pandemia ka kaluar dhe se shpreson për një sezon të frytshëm.

“Nga ky sezon turistik presim gjithçka të shkojë mirë. Pasi kaluam pandeminë presim që edhe këtë sezone ta kalojmë si është më së miri”.

Duke folur për dallimin e turistëve mes atyre që vijnë nga Kosova dhe të tjerëve që shkojnë në Shqipëri, ai ka thënë se ‘kosovarët vine në shtëpinë e tyre’.

“Ka shumë dallim sepse kosovarët vinë në shtëpinë e tyre jo si të huajt e tjerë. Ne jemi vëllezër.”

Rita Sahiti nga agjencia e udhëtimit, Fibula, ka treguar për mesazhin që bartë ky organizim.

“Atëherë, ky është një organizim i jonë i radhës, me këtë organizim ne bartim mesazhin që edhe pas një periudhe stresues që na goditi gjithëve nga virusi, pushimet po vazhdojnë prapë dhe plazhi po na pret”.

Sahiti, ka thënë se pavarësisht pandemisë kërkesat për pushime nuk janë ndalur.

“Deri më tani ka një interesim mjaft të madh për pushime, sidomos pas përfundimit të pandemisë, përgjithësisht ka një trend në rritje të kërkesave për pushime”.

Tutje, ajo ka njoftuar se organizime si ky që po zhvillohet tani do të ketë edhe viteve tjera.

“Ne kemi pasur organizime të tilla edhe më herët, një organizim të tillë e kemi pasur edhe vitin e kaluar, tash mbetet të shihet që edhe në të ardhmen të i vazhdojmë këto organizime, madje me shumë kënaqësi”.

Pas pak orësh do të mbyllet dita e parë e këtij organizimi teksa nesër do të vazhdohet me vizita dhe aktivitetet në Vlorë. KultPlus, do të ofrojë të gjitha informacionet nga vendi i ngjarjes. / KultPlus.com

Të ngjajshme