Pavlina Mani, aktorja e jashtëzakonshme e artit skenik shqiptar

13 Nëntor, 2024 - 6:29 pm

I  madh e i vogël kanë në kujtesë të paktën disa prej batutave të komedive ku ka interpretuar ylli i skenës dhe ekranit, aktorja Pavlina Mani. Në një galeri të gjatë shfaqjesh e filmash, Pavlina Mani ka veshur petkun e dhjetra roleve e karaktereve si e papërkulura, e brishta, gërnjarja apo lozonjare, duke i interpretuar të gjithë me mjeshtëri.

Ajo lindi më 13 nëntor të vitit 1948 në Lushnjë.

Roli i parë që realizoi ishte ai i Larisës në “Vajza pa prikë” e Ostrovskit, ndërsa karrierën e mbylli me rolin e nënës së Florit, në serialin “Njerëz dhe fate”.

Përveç se në teatër, Pavlina Mani ka interpretuar në 13 filma artistikë, ku spikati fillimisht me rolin e zonjëzës Lulushe, në filmin “Pas vdekjes”, me regji të Kujtim Çashkut.

Me rastin e datëlindjes, aktoren e uroi edhe ministri Blendi Gonxhe, i cili në një postim në rrjetet sociale shkroi: “Gëzuar Ditëlindjen Pavlina Mani! Aktorja e jashtëzakonshme e artit skenik shqiptar, me rolet e mirënjohura dhe të dashura për publikun, si Liria në komedinë “Pallati 176”, apo Drita në serialin “Njerëz dhe Fate”. I urojmë jetë të gjatë e të shëndetshme artistes!”/atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme