24 Nëntor, 2024 - 6:03 pm
Përkujtohet në njëvjetorin e ndarjes nga jeta aktori i dashur i humorit, Zef Deda.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një pjesë nga humori i aktorit të madh.
“Një vit pa Zef Dedën – një njeri i artit që me humorin e tij i dha shpirt çdo roli dhe çdo shfaqjeje. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat e atyre që e vlerësuan talentin dhe pasionin e tij për teatrin dhe kinematografinë”, shkroi Gonxhja.
Zef Deda u nda nga jeta një vit më parë në moshën 73-vjeçare. Mjeshtri i Madh i humorit vuante nga një sëmundje e rëndë.
Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Punoi për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikati që në moshë të vogël.
Një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, humoristi Zef Deda është cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai realizoi qindra figura artistike.
I paharruar do mbetet në kujtesën e shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve për humorin, batutat dhe karakteret që solli me mjeshtri./atsh/ KultPlus.com