18 Tetor, 2023 - 2:48 pm
PEN-i International, në bashkëpunim me PEN-in e Bosnjë e Hercegovinës, PEN Qendrën e Kosovës, PEN-in malazez dhe PEN-in serb, sot në Sarajevë ka lansuar një raport lidhur me një mori sfidash me të cilat përballen shkrimtarët dhe gazetarët e pavarur në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe në Serbi.
I titulluar Narrativat toksike: Heshtja e shprehjes në Ballkanin Perëndimor, ky raport shënon një moment historik e vendimtar në luftën për lirinë e shprehjes, opinionit dhe qasjes në informacion në rajonin e Ballkanit Perëndimor, thuhet në hyrje të raportit.
Në raport janë përfshirë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë, me vrojtim të posaçëm në veri ku gjatë gjatë ngjarjeve të vjetme dhe majit të sivjetëm janë shënuar jo vetëm raste të shkeljes së të drejtave të gazetarëve por edhe janë keqtrajtuar disa sish që kanë raportuar nga trazirat atje.
Raporti kërkon respektimin e fjalës së lirë të gazetarit e të shkrimtarit në cilatdo rrethana qofshin.
Në raport nuk janë përfshirë ngjarjet e 24 shtatorit kur një grup i armatosur nga veriu kishte sulmuar Policinë e Kosovësme ç’rast ishte vrarë një efektiv i saj.
“Ky raport zbulon betejat dhe triumfet e zërave të pavarur të vendosur të dëgjohen në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Si President i PEN International, unë pohoj solidaritetin tonë të palëkundur me këta zëra. Ky raport nuk është vetëm dokumentacion; është një dëshmi e shpirtit të pathyeshëm të shprehjes së lirë. Nuk do të rrimë duarkryq pasi zërat janë mbytur. Së bashku, ne do të krijojmë një narrativë të re – një tregim ku respektohet e drejta për t’u shprehur në mënyrë paqësore,” tha Burhan Sonmez, President i PEN International.
PEN Qendra e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me PEN-in Ndërkombëtar rreth hartimit të këtij raporti. Përfaqësuesit e PEN Kosovës kanë qenë të ftuar të marrin pjesën në takimin e Sarajevës që u mbajt sot, por pjesëmarrja e tyre është bërë e pamundshme për shkak të regjimit të vizave që Bosnja e Hercegovina vazhdon ta ketë e ta mabajë ndaj qytetarëve të Kosovës./ KultPlus.com