PEN Qendra e Kosovës mbajti dy ligjërata në Fakultetin e Filologjisë

24 Shkurt, 2024 - 12:38 pm

Në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, të premten, më 23 shkurt, PEN Qendra e Kosovës, zhvilloi aktivitetin e vet letrar të radhës dhe mbajti dy ligjërata rreth letërsisë.  

Ky ishte aktiviteti i shtatë i PEN Qendrës së Kosovës dhe ai u mbajt në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë ndërsa u përcoll me vëmendje nga studentë të Fakultetit të Filologjisë dhe të interesuar të tjerë.

Takimin e djeshëm e moderoi profesor Sali Bashota.

Në fjalën e tij Bashota tregoi qëllimin e projektit dhe dha në pika të shkurtëra aktivitetin e deritashëm të PEN Qendrës së Kosovës.

Pastaj panelistët e këtij takimi, në kuadër të ligjëratave, trajtuan temat letrare të parapara sipas projektit.

Kështu, profesori Naim Kryeziu, duke folur për Artin e përkthimit, theksoi se kryeveprat e letërsisë botërore njihen kryesisht nëpërmjet përkthimeve letrare.

“Me letërsinë e huaj, por sidomos me kryeveprat e letërsisë botërore lexuesi njihet kryesisht nëpërmjet përkthimeve letrare. Kur lexojmë një roman që është përkthyer nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, ai në një mënyrë është gjithmonë interpretim i veprës origjinale. Sepse të përkthesh automatikisht do të thotë edhe të interpretosh. Ngase, në përkthimin letrar, veçanërisht rrëfimi ose ngjarja duhen të riinterpretohen ose thënë edhe më qartë, rrëfimi duhet, në njëfarë mase, të rishpiket”, tha Kryeziu.

Në vazhdim Kryeziu tha se nëse teksti origjinal nuk kuptohet thellësisht, nuk ka mundësi të përkthehet saktësisht.

Duke përmendur edhe përvojat personale të përkthimit, profesori Kryeziu shtoi se përkthimi nënkupton bartjen e një teksti nga një gjuhë në një gjuhë tjetër dhe se ai kështu ndërton ura gjuhësore

“Përkthyesi i një teksti nuk është thjesht përkthyes, por është lexues, interpretues i vëmendshëm dhe në fund të fundit autor i një vepre krejtësisht të re, origjinale”tha  Kryeziu.

Në fund Kryeziu foli edhe për sfidat që paraqet përkthimi i poezisë ndërsa u angazhua kundër përkthimit me anë të Google-it.  

Duke folur në temën “Si të shkruash ese” profesori Osman Gashi theksoi se eseja është një formë letrare e cila përdoret për të shprehur qëndrimet, mendimet apo analizat e autorit për ndonjë temë të caktuar. Ky lloj shkrimi, tha ai,  zakonisht i kombinon elementet subjektive sikundër janë përvojat dhe ndjenjat personale krahas qasjes analitike dhe argumenteve. Eseja mund të hulumtojë një spektër të gjerë të temave – nga ato filozofike apo çështje sociale deri tek mendimet personale mbi situatat e përditshme.

“Të shkruash ese në nivel të kënaqshëm dhe paragrafë funksionalë, të qartë të përshtatshëm e domethënës për natyrën, llojin dhe synimin e esesë nuk është punë e lehtë. Ashtu si për të gjitha shprehitë edhe në këtë rast ky proces kërkon praktikë, organizim, përqendrim dhe përvojë. Gjatë procesit të të shkruarit, shkruesi ndërton tekstin në një mënyrë të tillë që të ndikojë mbi lexuesin. Në këtë proces, shkruesi bën edhe parashikime për njohuritë e lexuesit, çfarë di dhe çfarë do të mësojë prej tekstit të tij”, tha Gashi.

Në vazhdim profesori Gashi theksoi se veçori thelbësore të esesë janë toni i autorit dhe liria e të shprehurit. Autori i esesë e shfrytëzon hapësirën për të shprehur zërin e tij të veçantë si dhe qëndrimin dhe stilin. Esetë shpesh shkruhen me një ton të drejtpërdrejtë, personal, ndërkaq shkrimtarit (shkruesit) i lejohet që të përdorë veten e parë.

Në fund Gashi tha se esetë shpesh nxiten të shkruhen në shkolla dhe universitete si mjet i vlerësimit të mjeshtërive analitike dhe kreative të studentëve.

Aktivitetin e fundit në kuadër të këtij projekti, PEN Qendra e Kosovës do ta zhvillojë më 27 shkurt në Fakultetin Filozofik me fillim në orën 10:00.

Projekti përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Të ngjajshme