PEN Qendra e Kosovës nxit të rinjtë që të merren me krijimtari letrare  

27 Shkurt, 2024 - 5:33 pm

Në kuadër të projektit “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” të PEN Qendrës së Kosovës, të martën në Fakultetin Filozifk të Universitetit të Prishtinës, me studentë dhe të interesuar të tjerë është mbajtur takimi i tetë i këtij asociacioni të shkrimtarëve dhe njëkohësisht  i fundit paraparë me këtë projekt.    

Takimin e hapi profesor Sali Bashota i cili me fjalwn e vet njoftoi të pranishmit për aktivitetin e deritashëm të PEN Qendrës së Kosovës dhe për planet që ka ky asociacion shkrimtarësh për të ardhmen.  

Pastaj, në cilësinë e moderatorit, shkrimtari Gëzim Aliu foli për temat që do të trajtohen në takim siç ishin çështja e komunikimit letrar dhe ndikimi i teknologjisë në shpërndarjen e librit.   

Për temën e parë foli profesori Ibrahim Berisha i cili ndër të tjera theksoi se “ndërsa kultura është formë e qytetërimit, komunikimi si fenomen shoqëror dhe po kështu kulturor ndjek një linjë të veçantë komunikimi”.  

“Komunikimi letrar përveç informacionit që ofron me thellësinë e ideve dhe mendimit të strukturuar na bën që të ndihemi të lirë dhe kreativë. Shkrimtari ka një botë të veten të lirë të pakufizuar në të cilën projekton modelin e komunikimit letrar krahas me veten edhe me lexuesin”, tha ai.  

“Zhanret e ndryshme të komunikimit pasurojnë kulturën personale dhe kolektive letrare të një ambienti të caktuar dhe njëherësh edhe japin më shumë hapësirë të ndërtimit kritik të një ambienti social. Ky komunikim ka atribute lokale, nacionale, rajonale dhe universale, andaj mundëson që njerëzit të njihen, të kuptohen dhe të jenë më të afërt me njëri-tjetrin”, tha më tej profesor Berisha.   

Sa i përket autorit të komunikimit letrar, ai mund të ketë shumë arsye që të përcjellë një mesazh tek publiku, ndonjëherë i përcaktuar dhe shumë herë i papërcaktuar.  

“Do t’i referohesha Orwell-it, se shpesh zhanret e komunikimit letrar diktohen nga standardet kulturore, nisur nga egoizmi e deri te qëllimet politike. Por e kuptueshme, entuziazmi estetik, vëzhgimi i bukurisë në botën e jashtme, mund të jetë një nga arsyet që kemi kaq shumë letërsi të bukur në të gjithë botën”, tha sociologu dhe shkrimtari Berisha.    

Në fund të fjalës së tij, profesor Berisha, duke komunikuar me studentë i inkurajoi ata që të kenë gjithmonë si opsion shkrimin dhe publikimin e asaj që ata e vlerësojnë se mund të jetë interes i lexuesit.   

Sociologu Artan Krasniqi u ndal më tepër te libri elektronik dhe te roli i teknologjisë sot në shpërndarjen e librit. Duke iu referuar shifrave të ulëta të prodhimit dhe të përhapjes së librit elektronik në shoqërinë tonë, Krasniqi tha se kjo lidhet me kulturën e përgjithshme në raport me teknologjinë.  

Shifrat janë paksa kontradiktore në shoqërinë tonë. Sipas një hulumtimi, mosha që më së shumti e preferon leximin është ajo ndërmjet 15-19 vjeç. Në anën tjetër shtrirjen e internetit në vend e kemi 100 %, dhe janë pikërisht të rinjtë që e përdorin më së shumti internetin. Ndërkaq, preferenca për të lexuar libra elektronikë dhe për të dëgjuar libra me zë është shumë e ultë. Kjo besoj lidhet me idenë se për leximet që na vijnë nga interneti nuk jemi të gatshëm të paguajmë”, ka thënë Krasniqi.   

Ai bëri edhe një kritikë për mediat klasike në përgjithësi dhe televizionet në veçanti, që diskutimin për librin e kanë lënë në margjina të skemës së tyre programore. Derisa përmendi shembullin e podcasteve “Ora e Radios: Lexime” me autor Gëzim Selacin, si një shembull i rikthimit të diskutimit për librin në sistemin e radios. Po ashtu, edhe Krasniqi, që është edhe ligjërues në Departamentin e Sociologjisë, inkurajoi studentët që të guxojnë të shkruajnë në mënyrë kritike jo vetëm për fenomenet shoqërore por edhe për artin e letërsinë. 

Në fund të të takimit u shtuan edhe pyetje nga pjesëmarrësit.  

Studentja Qëndrsa Dili u interesua për etapat e shkrimit të krijuesit dhe për çështje të tjera lidhur me krijimtarinë për ç’gjë përgjigje mori nga panelistët.       

Gjatë realizimit të këtij projekti, PEN Qendra e Kosovës ka zhvilluar edhe shtatë aktivitete të tjerë: gjashtë në Prishtinë dhe nga një në Ferizaj e Gjakovë.   

Projekti  kulturor i PEN Qendrës së Kosovës “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme