16 Prill, 2021 - 1:30 pm
Gazetari dhe poeti Arbër Selmani i ka dorëzuar dje Shoqatës ‘Autizmi’ në Prishtinë pjesën e parë të fitimeve prej shitjes së librit të tij ‘Kosova në 14 tregime kulturore’.
Njashtu siç edhe ka treguar nga fillimi i promovimit të librit, të gjitha shitjet e librit do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me autizëm dhe shoqatës në fjalë.
Në rrjetin social Facebook, Selmani ka treguar se e ka vizituar shoqatën ku edhe është takuar me fëmijët, e ka parë pak a shumë procesin e punës në këtë shoqatë, ndërsa edhe ka dhuruar shumën e parë si ndihmë prej shitjes së librit në tri javët e para të shitjes së tij.
“Ndihma ime edhe e secilit prej jush që e keni ble librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore -2’, sot i shkoi fëmijëve me autizëm dhe Shoqatës Autizmi në Prishtinë, në formën e dashnisë edhe në formën e të hollave, me katër shifra. Sunita Kurti edhe ekipi sot e kanë pranu këtë ndihmë edhe m`shëtitën nëpër shoqatë. Bota ka nevojë për njerëz të mirë, sikur që fëmijët me autizëm kanë nevojë për neve edhe na kemi shumë nevojë për ta. Unë vazhdimisht do të takohem me Sunitën dhe do ta vizitoj shoqatën që fitimet prej shitjes së librit, edhe në të ardhmen, të shkojnë në vazhdimësi për mirëqenien edhe shërbimet e fëmijëve me autizëm. Një pikturë edhe një kartolinë e morra dhuratë, e unë i dhashë katër libra për librarinë brenda shoqatës. Çka me thonë: blejeni librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore’ se keni çka me lexu, edhe keni ku me ndihmu!” ka shkruar Selmani në Facebookun e tij personal.
Libri ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’ përmbanë 14 intervista gazetareske të cilat fokusohen në këta emra: Abdullah Konushevci, Xhevat Syla, Hana Cakuli, Mixha Ramë, Malda Susuri, Rifat Kukaj, Zake Prelvukaj, Lala Meredith Vula, Kenneth Andresen, Adelina Thaci, BB Poqi, Agim Qena, Luan Hajra, Naser Berisha.
“Edhe javëve në vazhdim, dhe deri në shitjen totale të kopjeve të librit, të gjitha fitimet do të shkojnë për fëmijët me autizëm në Kosovë, meqë kjo kauzë i është veshur tanimë këtij libri dhe unë jam shumë i lumtur që po ndihmoj, bashkë me lexuesit e mi gjithandej, për një komunitet si fëmijët me autizëm” tregon Selmani për KultPlus.
Dy promovime të librit në fjalë kanë ndodhur në Prishtinë e Mitrovicë, ndërsa dy promovime tjera – një në Prizren e tjetri në Tiranë do të vijnë gjatë javëve në vazhdim. / KultPlus.com