11 Maj, 2023 - 4:33 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë, Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, kishte marrë pamjen tjetër me shfaqjen e dokumenteve dhe fotografive që pasqyrojnë holokaustin ndaj romëve dhe sintëve, një ngjarje kjo që ndryshe njihet edhe si holokausti i harruar, shkruan KultPlus.
‘Ekspozita e Holokaustit’, organizuar nga ‘Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve’ vjen për herë të parë në Kosovë dhe synon synon të rrisë ndërgjegjësimin për gjenocidin që tronditi botën ku u ekzekutuan dhe masakruan, qindra mijëra romë, do të prezentohet përmes sërë objektesh, fotografish dhe elementesh që pasqyrojnë holokaustin ndaj romëve.
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte i pranishëm kryeministri Kurti i cili tha se kjo ekspozitë është e një rëndësie të veçantë, për faktin se po hedh në dritë një të vërtetë të hidhur që u ballafaquan romët gjatë luftës së dytë botërore, histori kjo që shpeshherë lihet në harresë.
“’Kurrë mos e harro’, ky udhëzim për të kujtuar gjithmonë Holokaustin ka një domethënie të veçantë në rastin e romëve dhe sintëve, sepse gjenocidi ndaj tyre është lënë shpeshherë në harresë kaq shumë, saqë historianët i njohin ata si ‘viktimat e harruara të Holokaustit’. Prandaj, kjo ekspozitë, që po hapet sot në Prishtinë, ka një rëndësi përtej kufijve të Kosovës”, u shpreh Kurti duke shtuar më tutje se kjo ekspozitë është një pjesë e përpjekjeve të reja në mbarë botën për të dokumentuar në hollësi gjenocidin ndaj romëve dhe sintëve.
Kurti më tutje është shprehur se institucionet e Kosovës po vazhdojnë të japin një kontribut të veçantë në krijimin e kushteve më të mira për pjesëtarët e këtyre komuniteteve dhe po punojnë në krijimin e një mjedisi më pak diskriminues ku nëpërmjet platformave të ndryshme do të mundësohet denoncimi i rasteve të diskriminimit.
“Mes iniciativave të ndryshme kemi ndarë 500 bursa në vlerë prej 300 mijë eurove për nxënës të shkollave të mesme të këtyre komuniteteve, kemi dhënë edhe 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitete publike, ndërkaq kemi rerutuar 100 praktikantë për 6 muaj praktikë në institucionet publike me prioritet për rininë e komunitetev e joshumicë dhe bashkë me Zërin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe partnerë të tjerë kemi lansuar për herë të parë një platformë kombëtare ku mund të denoncohen rastet e diskriminimit”, tha kryeministri Kurti.
Ndërkaq, i pranishëm në këtë ekspozitë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, i cili e vlerësoi të turpshme faktin që Gjermanisë iu desh një kohë e gjatë për t’i njohur krimet ndaj romëve dhe sintëve.
“Mbi 2 milionë romë e sintë janë vrarë në Gjermani e në gjithë Evropën, humbje e madhe. Dua të dënoj historinë tonë. Gjermania për një kohë të gjatë nuk i ka njohur krimet ndaj romëve. Gjithë përfshirja sociale është pjesë e procesit të Berlinit”, u shpreh ambasadori gjerman.
Më pas, fjalën e mori Sylejman Elshani, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili në emër të organizatës ‘Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve’ dhe në emër të MKRS-së falënderoi të pranishmit për prezencën në këtë ekspozitë që ka një karakter të rëndësishëm ku për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, ‘Holokausti, gjenocidi ndaj hebrenjve, romëve, sinti dhe nacionaliteteve të tjera po shfaqet në Kosovë.
“Më 2 gusht 1944, gjatë ditës, u vranë në dhomat e gazit 4000 sinti dhe romë, në fund që ende jetonin nga i ashtuquajturi ‘Kampi i magjupëve’. Në kampin e përqendrimit dhe shfarosjes ‘Aushvic Birkenau’, kjo ditë është simbol për holokaustin e nazistëve ndaj më shumë se 500 mijë sinti dhe romë në Evropën e pushtuar”, deklaroi Elshani.
Drejtori i Bordit të Organizatës ‘Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve’, Bashkim Ibishi, u shpreh po ashtu i lumtur për hapjen e kësaj ekspozite, e cila pritet që të udhëtojë nëpër rajon dhe më gjerë.
“Ju me siguri keni dëgjuar për gjenocidin ndaj romëve, për viktimat e harruara të gjenocidit ndaj romëve. Ne si shoqëri civile së bashku me institucionet e Republikës e Kosovës tentojmë që të bëjmë më të mirën e mundshme për të mësuar nga e kaluara. E drejta për të kujtuar është një e drejtë universale dhe përgjegjësia morale e të gjithë neve si individë e si shoqëri është të përtërijmë të tilla përvojash në mënyrë që të mos përsëriten më”, përfundoi Ibishi.
Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita do të jetë e hapur deri më 30 maj.
Fotografitë: Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve./ KultPlus.com