27 Shtator, 2020 - 4:54 pm
Me rastin e ditës botërore të turizmit është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet unionit të turizmit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, raporton Ekonomia Online, transmeton KultPlus.
Me këtë rast, u kërkua përkrahja institucionale, të cilët thanë se pandemia COVID-19 e ka dëmtuar shumë këtë sektor, por që shprehen bindjen se shumë shpejt do t’i kthehen normalitetit.
Kryetari i Unionit i Turizmit të Kosovës (UTK), Baki Hoti ka thënë se pandemia ka shkaktuar shumë dëme në sektorin e turizmit.
Mes tjerash ai ka thënë se turizmi nuk njeh kufi dhe duhet bashkëpunim më i thellë me Shqipërinë.
“Turizmi nuk njeh kufi dhe duhet të bashkohemi dhe kontribuojmë në turizmin e të dy vendeve. Pandemia këtë vite ka shkaktuar dëme në sektorin e turizmit dhe qysh nga marsi turizmi është në pikën zero dhe shpresoj që gradualisht ti kthehemi normalitetit”, ka thënë Hoti.
Madje ai ka kërkuar edhe përkrahjen e institucioneve të vendit, si dhe të votohet ligji për rimëkëmbjen ekonomike.
“Kërkohet një mbështetje institucionale siç e kanë bërë krejt shtetet dhe ne po e vërejmë që pakoje e parë për rimëkëmbje ende nuk ka kaluar dhe kjo ndikon shumë keq”, tha ai.
Nexhat Ramadani zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se Kosova mund ta përdor turizmin për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Turizmi modern është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik, andaj edhe Kosova si shtetet në zhvillim mund të përdor turizmin për zhvillim ekonomik në tërësi. Ne e kemi të gatshëm draftin për ligjin e ri të turizmit ku përcaktohen rregullat bazë të promovimit të turizmit në Kosovë”, tha Ramadani.
Lindita Cervadiku zyrtare nga komuna e Prishtinës në fushën e turizmit ka thënë se komuna e Prishtinës ka ndërmarr hapa konkret për rimëkëmbjen e turizmit.
“Pandemia ka ndikuar shumë keq edhe në komunën e Prishtinës. Kemi planifikuar shumë hapa për rimëkëmbjen e turizmit në Prishtinë”, u shpreh ajo.
Rrahman Kasa kryetar i unionit të turizmit të Shqipërisë ka thënë se turizmi është bërë industri që po sjellë shumë të ardhura. Madje ai kërkoi që të ulët TVSH-ja në Kosovë siç është në Shqipëri.
“Turizmi sot është bërë një industri që po sjell shumë të ardhura dhe në Shqipëri turizmi është sektori i dytë. Shpresoj që të arrihen kërkesat e turizmit të Kosovës dhe realizohet ulja e TVSH prej 8 për qind në Kosovë është shumë mirë, kurse ne në Shqipëria e kemi 6%”, tha ai./ekonomiaonline/ KultPlus.com