29 Mars, 2024 - 5:47 pm
Përfaqësues të Akademisë “La Scala” kanë zhvilluar një takim në mjediset e TKOB me drejtoreshën e institucionit, Abigeila Voshtina.
Me Tommaso Abbiati, drejtuesi i Marketing-ut, Rritjes së Fondacioneve dhe Sponsorizimeve si dhe kolegen e tij, Letizia Cirri, Voshtina bisedoi rreth një binjakëzimi të mundshëm mes TKOB dhe “La Scala”, propozim i cili është pritur me entuziazëm nga pala italiane.
“Të tilla bashkëpunime, me në fokus të rinjtë shqiptarë e të huaj, do të fuqizojnë akoma më tepër potencialin e tyre, në skenën e TKOBAP-së dhe përtej saj. Mbi të gjitha, artistët e rinj do mund të pasurojnë repertorin artistik të veprave që nuk i kanë debutuar përgjatë viteve akademike apo përgjatë eksperiencës së tyre artistike”, shkruhet në faqen e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.
“La Scala” e Milanos u inaugurua me 3 gusht të vitit 1778. Ai njihet botërisht si shembull i ekselencës, duke qenë se në të kanë interpretuar këngëtarët, instrumentistët e balerinët më të mirë nga të gjitha vendet e botës. “La Scala” ofron edhe trajnime profesionale në muzikë, balet e menaxhim skenik./KultPlus.com