6 Qershor, 2024 - 9:31 am
Qendra per Hapje dhe Dialog (COD) ftoi publikun për t’u bërë pjesë e aktivitetit që zhvillohet të premten me nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme të qarkut Tiranë dhe Durrës, në sheshin Skënderbej.
Do të jetë një performacë krejtësisht ndryshe, nismë kjo që ndërmerret në vijim të ekspozitës “Artivizim për një transformim social të përgjegjshëm”, nga mjeshtri italian me famë ndërkombëtare Michelangelo Pistoletto.
Ky aktivitet i cili do të zhvillohet më 7 qershor, vjen në kuadër të Javës Kulturore Italiane, si bashkëpunim i Qendrës për Hapje dhe Dialog, Institutit Italian të Kulturës, Ambasadës së Italisë në Shqipërisë dhe Fondacionit “Pistoletto Cittadellarte”.
Në formën “flash mob”, kjo ngjarje nxit mes pjesëmarrësve ndërveprim, dialog, përgjegjësi, por edhe bashkon tema si shoqëria, shkenca dhe arti, që shpërbëjnë paradigmën e paragjykimit, të bullizimit dhe të diskriminimit ndaj moshatarëve, duke e kthyer këtë në një aktivitet edukues dhe argëtues për fëmijët dhe të rinjtë./atsh/KultPlus.com