28 Tetor, 2019 - 7:56 pm
Babai i Astritit, Avni Dehari, adresuar të pranishmëve sot ka thënë se që nga 5 nëntori i 2016-ës, deri pak ditë më parë, organet shtetërore, përfaqësuesit e drejtësisë dhe pushtetarët e papërgjegjshëm e kriminel, kanë bërë përpjekjeje që t’ua mbushin mendjen se Astriti është vetëvrarë.
“Me ardhjen e raportit të ekspertëve të Zvicrës, konstatimi se Astriti është vrarë ka marrë fund. Tash janë të shtrënguar ta pranojnë se deri dje e kanë pasur plotë gojën për vetëvrasje. Në këtë raport, faza e parë e betejës, përgjegjësitë për vrasjen e Astritit, kanë ngadhënjyer dhe tash është faza e dytë e betejës për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të tërthortë kanë marrë pjesë në vrasjen e birit tonë”, ka thënë Dehari.
Aktivitetit simbolik i cili po mbahet për Astrit Deharin, i është bashkuar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Jeta Berisha nga grupi “Unë jam Astriti”, ka thënë se “mbrëmja e sotme le të jetë aktiviteti ynë i parë për t’ua bërë me dije institucioneve revoltën dhe zemërimin tonë për mos zbardhjen e rastit të Astrit Deharit për tri vjet rishtas.
“Publikimi i gjetjeve të raportit të ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës i ka dhënë të drejtën kërkesës së familjes Dehari për hetim të ri për rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së dhunshme të Astritit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, raporti rrëzon hipotezën e ngritur për vetëvrasje nga prokurori i rastit dhe bënë thirrje për hetim të ri, duke përfshirë hetimin e personave të tjerë për vrasjen e tij, shkruan Koha.
Ajo tutje ka njoftuar se më 5 nëntor në orën 12:00 nga sheshi “Skënderbeu” do të mblidhen për të marshuar për të kërkuar Astrit Deharin.
“Caktimi i grupit të ri hetimor kredibil si dhe bartja e rastit nga prokuroria themelore e Prizrenit, në Prokurorin Speciale të Kosovës -Shkarkimi dhe hetimi i të gjithë personave përgjegjës, në zinxhirin institucional nga Qeveria, Policia, Drejtoria e Burgjeve, Prokuroria dhe Departamenti i Drejtësisë Ligjore si dhe fillimi i menjëhershëm i një hetimi të ri, kredibil, transparent, të pavarur dhe profesional mbi rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Astritit. Si dhe hetimin e rrethanave të vdekjes së dëshmitarit kryesor të rastit, Naser Makolli”, ka thënë ajo.
“Astrit Dehari është kthese për drejtësinë në Kosovë”, ka shtuar më tej ajo.
Një fjali emocionuese e ka shkruar i ati i Astri Deharit, Avniu, në emër të tij, të bashkëshortes së tij, Xhemiles dhe të të vejës së Astritit, Artës.
“Astrit, shëmbëlltyra jote për drejtësi gjithmonë do të jetë e gjallë dhe ngadhënjimtare”, ka shkruar ai, në muralin që është bërë në kujtim të aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.