15 Nëntor, 2024 - 12:07 pm
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo bëri me dije sot se përfundoi procesi i dezinfektimit dhe mirëmbajtjes së arkitekturës së drunjtë në Muzeun Ikonografik “Onufri”.
Ky proces i bazuar në protokolle të caktuara, kryhet në fundvjeshtë, me qëllim parandalimin e shumimit të parazitëve të drurit gjatë ciklit të tyre të depozitimit, përpara rënies së temperaturave në stinën e dimrit.
“Kujdesi ndaj pasurisë së trashëgimisë kulturore është me rëndësi të madhe dhe detyrim ligjor për institucionin tonë”, u shpreh kryetari i bashkisë Berat, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” tashmë është i vizitueshëm në oraret përkatëse të sezonit dimëror.
Deri në përfundim të vitit 2024, ditët e hyrjeve pa pagesë janë:
– 28 Nëntor, Dita e Pavarësisë (vetëm për shtetasit shqiptarë);
– 29 Nëntor, Dita e Çlirimit (vetëm për shtetasit shqiptarë);
– E diela e fundit e çdo muaji të vitit (vetëm për shtetasit shqiptarë)./atsh/KultPlus.com