18 Janar, 2024 - 10:47 am
Kosova do t’i ndalë transaksionet e pagesave me dinarë. Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar rregullore të re që hyn në fuqi nga 1 shkurti, e ku thuhet se valuta e vetme në Kosovë është euro.
Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.”, thuhet në rregullore.
Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj. / KultPlus.com