17 Nëntor, 2019 - 12:01 pm
Qendrim Badalli
“Kemi siguruar emra të mëdhenj të skenës botërore por në kombinim edhe me artistët shqiptar që t’i hapin dyert e festivalit dhe po ashtu pjesëmarrëse do të jenë edhe talentë të ndryshëm”, kështu kishte thënë ndër të tjera organizatorja e KamerFestit 2019, Sihana Badivuku, në hapjen solemne të këtij edicioni më 17 shtator.
Nga ajo mbrëmje deri mbrëmjen e djeshme kur edhe përfundoi edicioni i 20-të i këtij festivali kamertal ndërkombëtar në Kosovë, KamefFesti ka dhuruar mbrëmje spektakulare me emra emninet si nga rrafshi vendor ashtu edhe nga ai ndërkombëtar me një publik shumë shpesh të madh në numër, shkruan KultPlus.
Violonçelisti rus Denis Shapovalov si dhe pianisti amerikan Derek Han kanë qenë dy nga emrat më të njohur që i janë bashkuar KamerFestit këtë edicion. Nga rrafshi vendor, violonistja Sihana Badivuku e Blerim Grubi si dhe sopranoja Zana Abazi-Ramadani kanë ofruar paraqitje të vlerësuara si shumë të suksesshme. Këtë edicion vend ka pasur edhe për talentet e rijnë si violinisti Leonardo Dimoski nga Maqedonia e Veriut si dhe pianistja Era Kume nga Shqipëria.
Veçantia e këtij edicioni ka qenë fillimi i shtrirjes së Kamerfestit edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore. Kështu, disa mbrëmje që realizoheshin në Prishtinë, janë dhënë edhe në Tiranë e Shkup, duke krijuar një <Bashkim kombëtar përmes muzikës>. Në total ky edicion ka pasur pesëmbëdhjetë koncerte që janë shpërndarë në muajt shtator, tetor dhe nëntor. Ky edicion i KamerFestit është përkrahur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ambasada e SHBA-së, Austrisë dhe Francës.
Koncerti i fundit për këtë edicion, u mbajt dje në Sallën e Kuqe. Mbrëmë nuk ishte vetëm përfundimi i këtij edicioni të KamerFestit, mbrëmë u shënua edhe 20- vjetori i bashkëpunimit të Kosova KamerFest me Filharmoninë e Kosovës si dhe njëkohësisht është shënuar edhe 30- vjetori i karrierës së Blerim Grubit.
Me sallën e stërmbushur nga të pranishmit aty, me emra të njohur publik që kishin ardhur ta nderonin përfundimin e këtij festivali si dhe me prani të madhe mediale, gjithçka ishte gati të fillonte koncerti me Filarmoninë e Kosovës, violinisten Sihana Badivukun, (violë) Blerim Grubin si dhe dirigjentin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gregory Charette. Për gati dy orë u interpretuan veprat e Johann Christian Bach/ Henri Casadesus, Wolfgang Amadeus Mozart si dhe të Igor Stravinskyt.
Organizatorja e këtij festivali, Sihana Badivuku, ka treguar shkurt për dallimet në kohë rreth financimit të këtij festivali.
“Kemi pasur ato baticat dhe zbaticat tona. Nëse e bëjmë një krahasim dhjetë vitet e para kanë qenë shumë më të lehta me i përballu ekonomikisht sepse kemi pasur përkrahje shumë më të mirë nga ambasadat dhe Ministria e Kulturës”.
Tutje, ajo ka përshëndetur edhe zgjerimin e festivalit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ajo çfarë është për tu përshëndetur është se me dy ojq nga Shkupi dhe Tirana i kemi bërë disa repriza, pra jemi zgjeruar edhe në hapësirat më rajonale”.
Në fund, Badivuku është shprehur e zhgënjyer me sallën ku është mbajtur koncerti.
“Ajo çfarë i dhemb një artisti është kjo sallë këtu e cila është dënim për artistin”
Blerim Grubi, e cilësoi si të veçantë këtë mbrëmje.
“Kjo sonte ishte një mbrëmje e posaçme dhe e veçantë me kolegen time të luftës dhe të artit me Sihanën me të cilën qe tridhjetë vite jemi bashkë dhe luftojmë për gjërat që i takojnë artit dhe kulturës këtu në Kosovë dhe Maqedoni””
Ai e ka konsideruar si sukses ngritjen e kuadrit të Kosovës me ish-studentët e tij.
“Më duhet të theksoj që është një kënaqësi e madhe që sonte ishim me ish studentët tonë, para njëzet viteve kemi pasur një autobus që vinte nga Tirana apo Shkupi kurse sonte luajtëm me kuadrin tonë, dhe jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur”.
Grubi, mbrëmjen e djeshme e quajti magjepsëse.
“Mendoj se bëmë një gjë shumë të mirë sonte mendoj se edhe publiku ishte shumë i kënaqur sonte dhe bëmë atmosferë magjepsëse”.
Dirigjenti amerikan, Gregory Charette, ka thënë se atmosfera ishte familjare.
“Ishte shumë gjë e mirë që mund ta ndjeje një energji familjare mes të gjithëve këtu”.
Dirigjenti amerikan pati vlerësim edhe për orkestrën e Kosovës.
“Mendoj se orkestra është gjithmonë në ngritje e sipër dhe kjo është gjëja më e mirë që duhet përmendur. Cdo herë që unë vij këtu ne mund të bëjmë interpretime më të vështira”.
KultPlus ka qenë njëri nga sponsorët e këtij edicionit të 20-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “Kosova KamerFest 2019” dhe po ashtu ka mbuluar pothuajse të gjitha koncertet e realizuara në Kosovë. Për publikun, për kulturën. Me koncertin mbrëmë në Sallën e Kuqe përfundon “Kosova KamerFest 2019”