25 Shtator, 2021 - 11:04 pm
Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhje të Këshillit të Sigurisë, në të cilën është diskutuar lidhur me situatën e sigurisë në vend.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryeministria nëpërmjet një komunikate për medie, ndonëse nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me takimin.
“Në mbledhje u shqyrtua situata e sigurisë në Republikën e Kosovës pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë. Në veçanti u diskutua koordinimi i mëtejmë i veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, u tha në komunikatë.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, u shtua tutje.
Pas takimit në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Kurti ka shkruar se në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpijnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak po marrin pjesë individë, që sipas tij janë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Kurti ka postuar edhe përshkrime dhe fotografi për dy prej tyre.
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.
Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës./KultPlus.com