29 Shtator, 2021 - 10:50 pm
Delegacioni serb në bisedimet me Kosovën në Bruksel e ka përfunduar takimin me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak mirëpo nuk kanë dhënë përgjigje nëse e pranojnë draft dokumentin për zgjidhjen e çështjes së targave të automjeteve, e cila ka shkaktuar tension gjatë ditëve të fundit në veri të Kosovës.
Burime të Bashkimit Evropian i kanë thënë gazetarit të Radios Evropa e Lirë në Bruksel se negociatat pritet të vazhdojnë edhe nesër, më 30 shtator.
Delegacioni serb udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Më herët, shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është finalizuar një draft-dokument për zgjidhjen e çështjes së targave, me ndërmjetësimin e BE-së, mirëpo Beogradi edhe nuk e ka dhënë pëlqimin.
“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha Bislimi.
Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente: që nga dita e hënë si Serbia ashtu edhe Kosova të avancojnë dhe të përdorin “letrat ngjitëse” në vend të tabelave. Kjo zgjidhje, sipas tij, do të jetë e përkohshme pasi në të njëjtën kohë do të krijohet edhe një grup punues i cili brenda gjashtë muajsh do të gjejë një zgjidhje të përhershme të problemit të lëvizjes së lirë.
Pika tjetër, sipas tij, ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas dokumentit ditën e shtunë do të vendosej KFOR-it që do të zëvëndësonte njësitë speciale të policisë së Kosovës të cilat do të tërhiqeshin bashkë me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.
Menjëherë pas këtij njoftimi të Bislimit, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja nuk ka përfunduar dhe se po vazhdojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara thanë se është bërë përparim në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave, por negociatat ende vazhdojnë.
“Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, thuhet në një postim në rrjetin Tëitter të të ngarkuarit me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe.
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po marrin pjesë në takimet në Bruksel, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në veri, teksa rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak, për të dhjetën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.
Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.
Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës./REL/KultPlus.com