30 Maj, 2020 - 11:00 pm
Në Uashington, protestat e së premtes në Parkun Lafayette përballë Shtëpisë së Bardhë bënë që zyrtarët të bllokonin ndërtesën. Gazetarët thanë se protestuesit, disa prej të cilëve hodhën “spray” në një ndërtesë aty pranë, u përplasën me pjestarët e Shërbimit Sekret të Shtëpisë së Bardhë. Protestuesit hoqën një pjesë të një barrikade. Demonstruesit në qytetin e Nju Jorkut dolën në rrugë për të dytën ditë radhazi, për të protestuar për vdekjen e 46-vjeçarit Floyd. Disa njerëz brenda turmës shtynin të tjerët drejt barrierave metalike ndërsa policia përpiqej t’i kthente pas
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz tha të shtunën se synimi i protestuesve në Minneapolis është “shkatërrimi i qëllimshëm”.
Protestat janë përhapur në shumë qytete amerikane pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd, i cili vdiq pasi një oficer policie në Minneapolis i vuri gjurin në qafë ndërsa 46-vjeçari ishte i shtrirë në tokë. Imazhet u panë në të gjithë botën dhe ngjallën zemërim.
Guvernatori Walz tha se demonstratat në Minneapolis nuk kanë të bëjnë me shprehjen e hidhërimit, por me nxitjen e “kaosit absolut”.
Protestuesit në Minneapolis kanë djegur biznese, makina dhe të paktën një stacion policie. “Star Tribune” njofton se protestuesit kishin qëlluar ndaj policisë.
“Ne nuk mund të arrestojmë njerëz për shkak “të përmasave të mëdha të dinamikës,” tha guvernatori. “Njerëzit tanë po qëllohen,” tha ai.
Të paktën 500 pjestarë të Gardës Kombëtare janë dërguar tashmë në qytetet fqinjë Minneapolis dhe Saint Paul. Gjeneral Majori Jon Jensen i Gardës Kombëtare të Minesotës tha se deri të dielën në zonë do të jetë dislokuar më shumë se 1.700 pjestarë të Gardës. Gazeta “Washington Post” tha se ky do të ishte stacionimi më i madh i forcave ligjzbatuese në historinë e Minesotës.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Pentagoni ka urdhëruar ushtrinë të mobilizojë disa njësi të policisë ushtarake, të gatshme për t’u vendosur në Minneapolis. Ushtarët nga bazat Fort Bragg në Karolinën e Veriut dhe Fort Drum në New York janë urdhëruar të qëndrojnë të gatshëm për t’u vendosur brenda katër orëve nëse kërkohen, sipas tre personave që kanë dijeni për këto urdhra. Associated Press tha gjithashtu se ushtarëve në bazat Fort Carson, në Kolorado dhe Fort Riley në Kansas u është thënë të jenë gati brenda 24 orëve.
Një protestë paqësore në Portland të shtetit Oregon për vdekjen e afrikano-amerikanit Floyd u shndërrua në dhunë pas disa orësh, kur protestuesit u futën në stacionin e policisë, të cilit i vunë zjarrin. Demonstruesit gjithashtu vandalizuan dyqane, ndezën zjarre të tjera dhe hodhën sende të forta drejt policëve, sipas një njoftimi të Associated Press. Në një postim në Twitter, policia i përshkroi ngjarjet si “trazira”.
Në Uashington, protestat e së premtes në Parkun Lafayette përballë Shtëpisë së Bardhë bënë që zyrtarët të bllokonin ndërtesën. Gazetarët thanë se protestuesit, disa prej të cilëve hodhën “spray” në një ndërtesë aty pranë, u përplasën me pjestarët e Shërbimit Sekret të Shtëpisë së Bardhë. Protestuesit hoqën një pjesë të një barrikade.
Demonstruesit në qytetin e Nju Jorkut dolën në rrugë për të dytën ditë radhazi, për të protestuar për vdekjen e 46-vjeçarit Floyd. Disa njerëz brenda turmës shtynin të tjerët drejt barrierave metalike ndërsa policia përpiqej t’i kthente pas.
Departamenti i Policisë në Los Angeles e shpalli të paligjshëm një grumbullim njerëzish, pasi protestuesit shkatërruan xhamat e dyqaneve dhe bllokuan një autostradë. Policia marshoi në qendër të Los Anxhelosit për të larguar demonstruesit.
Në Atlanta të shtetit Xhorxhia, qindra protestues u përballën me policinë jashtë ndërtesës së televizionit CNN, disa prej tyre duke hedhur shishe me ujë dhe duke thirrur, “Ikni nga puna”. Guvernatori i shtetit shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe aktivizoi Gardën Kombëtare.
“Kjo nuk është protestë,” tha kryebashkiakja e qytetit Atlanta, Keisha Lance Bottoms në një lutje emocionale drejtuar demonstruesve në qytetin jugor. “Ky është kaos. Një protestë ka një qëllim. . . Ju po e poshtëroni qytetin tonë. Ne nuk jemi ashtu si doni të na paraqisni ju si qytet, apo si vend”. Pesëqind pjestarë të Gardës Kombëtare të Xhorxhias po vendosen në Atlanta.
Protesta pati edhe në Las Vegas të Nevadës dhe në Hjuston të Teksasit, ku Floyd kaloi fëmijërinë. Në Hjuston, më shumë se 60 protestues marshuan në autostradë për gjysmë ore, duke bllokuar trafikun.
Qyteti Mineapolis, ku ndodhi vrasja, vazhdon të jetë i tensionuar pas tre netë protestash që filluan në mënyrë paqësore, por që u shoqëruan më pas me zjarrvënie dhe plaçkitje.
Kryebashkiaku i Mineapolisit, Jacob Frey shpalli orën policore nga 8 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit të shtunën.
Mineapolisi njoftoi të premten arrestimin e Derek Chauvin, ish oficerit të policisë i akuzuar për vdekjen e Floyd-it. Gazeta “Washington Post” më vonë raportoi se gruaja e oficerit kishte bërë kërkesë për divorc.
Para kësaj, zyrtarët njoftuan akuza ndaj policit, i cili shihet në videon e marrë me celular duke vënë gjurin në qafën e Floyd ndërsa ky i thotë se nuk po merrte dot frymë. Oficeri akuzohet për vrasje të shkallës së tretë.
Floyd u konstatua i vdekur menjëherë pas incidentit. Familja e tij reagoi, duke thënë në një deklaratë se dëshironte që prokurorët të mbajnë një qëndrim më të ashpër.
“Arrestimi i ish oficerit të policisë në Minneapolis Derek Chauvin për vrasjen brutale të George Floyd është një hap i mirëpritur por i vonuar në rrugën drejtësisë. Ne prisnim një akuzë për vrasje të shkallës së parë. Ne duam një akuzë për vrasje të shkallës së parë. Duam gjithashtu që arrestohen edhe oficerët e tjerë. U bëjmë thirrje autoriteteve të rishikojnë akuzat për të pasqyruar fajësinë e vërtetë të këtij oficeri,” thuhej në deklaratën e familjes.
Derrick Johnson, president dhe shef ekzekutiv i organizatës NAACP, grupi më i vjetër i të drejtave civile të vendit, i tha Zërit të Amerikës se vrasja e Floyd-it tregon se “ne në këtë vend nuk i kemi trajtuar çështjet e racës dhe vlerën e jetës së afrikano-amerikanëve në Mineapolis.”
Ai tha se protestat paqësore janë “një mënyrë që qytetarët e këtij vendi të ngrenë zërin kundër padrejtësisë”, dhe shtoi se anëtarët e organizatës së tij “në mënyrë absolute janë kundër rebelimeve të dhunshme, që kurrë nuk zgjidhin gjë.”
Presidenti i SHBA Donald Trump tha të premten se kishte folur me familjen e Floyd-it dhe shprehu dhimbjen e tij. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha “ne nuk mund të lejojmë që demonstratat në Minneapolis” të degradojnë më tej në anarki dhe kaos të paligjshëm”. Ai tha se plaçkitësit nuk duhet të lejohen të mbytin zërin e protestave paqësore.
Protestuesit e shprehën zemërimin e tyre në Mineapolis të enjten vonë, duke djegur një stacion policie dhe dyqane si dhe duke shkatërruar dritaret e bizneseve të tjera. Autoritetet mobilizuan Gardën Kombëtare.
Herët të premten, Presidenti Trump shkroi në Twitter se protestuesit e dhunshëm janë “banditë” që “po përdhosin kujtimin e George Floyd-it”.
Ai gjithashtu kërcënoi se do ta vërë qytetin “nën kontroll” dhe shtoi se “kur fillon plaçkitja, fillojnë edhe të shtënat.”
Twitter i shtoi një paralajmërim komentit të Presidentit Trump në lidhje me të shtënat, duke thënë se kjo shkel rregullat e rrjetit social “për glorifikimin e dhunës”. Më pas, Twitteri i shtoi një paralajmërim edhe përdorimit të fjalës “banditë” nga zoti Trump.
Shtëpia e Bardhë më vonë tha se “presidenti nuk glorifikoi dhunën, por e dënoi atë”.
Presidenti Trump sqaroi në Twitter të premten se “Plaçkitja çon në të shtëna … Unë nuk dua që kjo të ndodhë, dhe ky është kuptimi i shprehjes që postova mbrëmë”.
Vdekja e Floydit u kap në videon e celularit që u bë virale pasi u postua në internet. “Të lutem, të lutem, të lutem, nuk po marr dot frymë. Të lutem, o njeri,” thoshte Floyd, ndërsa mbahej i shtrirë në tokë nga polici Chauvin.
Chauvin i thoshte personit të prangosur që të qetësohej, por vazhdonte ta mbante gjurin në qafën e Floid-it pasi ai ndaloi së lëvizuri. Një dëshmitar tha se dëgjoi Floydin duke thirrur për ndihmë nënën. Videoja tregon se koka e Floydit ishte kthyer në një anë, dhe se duket se ai nuk po rezistonte. Në fund të videos, mbërrin ekipi i ndihmës mjekësore, e ngre Floyd-in me barelë dhe e vendos në një autoambulancë. Autoritetet u thanë më vonë gazetarëve se Floyd vdiq në spital.
Policia e Minneapolis tha se Floyd i ngjante një të dyshuari të kërkuar se gjoja po përpiqej të përdorte një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe në një dyqan ushqimesh dhe se i kishte rezistuar arrestimit.
Kryebashkiaku Frey tha të premten se qyteti është në “dhimbje dhe zemërim të madh”, por plaçkitjet dhe djegiet për të protestuar ndaj vdekjes së George Floyd-it janë të “papranueshme”.
Zoti Frey iu përgjigj gjithashtu komenteve në Twitter të Presidentit Trump sipas të cilit Mineapolisi vuan nga një “mungesë e plotë udhëheqjeje”.
Ai tha se “Donald Trump nuk di asgjë për forcën e Minneapolis”, dhe shtoi: “Ne jemi shumë të fortë”.
Edhe guvernatori Walz i Minesotës e kritikoi Presidentin Trump, duke thënë se referencat e tij në Twitter për “banditë” dhe “të shtëna” janë kundërproduktive.
Prokurori i Përgjithshëm William Barr tha të premten se imazhet “e incidentit që përfundoi me vdekjen e zotit Floyd, ndërsa ishte në duart e policëve në Mineapolis, ishin thellësisht shqetësuese.” Ai tha gjithashtu se një hetim i pavarur po zhvillohet nga Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja.
Ish Presidenti Barack Obama komentoi të premten në Twitter për vdekjen e Floidit, duke i bërë thirrje vendit t’i trajtojë të gjithë qytetarët me dinjitet dhe respekt.
“Është e natyrshme të dëshirosh që ‘jeta të kthehet në normale’”, tani që kriza e pandemisë dhe ajo ekonomike ka pezulluar gjithçka rreth nesh. Por duhet të kujtojmë se për miliona amerikanë, fakti që trajtohen ndryshe për shkak të racës, është diçka tragjikisht, dhimbsurisht dhe çmendurisht ‘normale’.”
“Kjo nuk duhet të jetë ‘normale’ në Amerikën e vitit 2020,” shkruante ish-Presidenti Obama. “Nuk mund të jetë ‘normale’”.
Floyd dhe Chauvin e njihnin njëri-tjetrin pasi kishin punuar si roje sigurie në të njëjtin klub nate në Mineapolis, tha një zyrtare e bashkisë për rrjetin CNN të premten.
Të premten herët në mëngjes një ekip i televizionit CNN u ndalua në Mineapolis ndërsa transmetonte drejtpërdrejt nga protestat.
Ndër të ndaluarit ishin reporteri Omar Jimenez, i cili është me prejardhje afrikane dhe latine si dhe dy pjestarë të tjerë të ekipit, ndërkohë që kamera vazhdonte të filmonte. Gjatë incidentit, Jimenez pyeste se përse po e arrestonin. CNN tha se guvernatori Walz më pas i kërkoi falje televizionit.
Për shkak të komentit “Nuk po marr dot frymë”, vdekja e Floydit u krahasua shpejt me atë të Eric Garner-it, një tjetër afrikano-amerikan në New York i cili vdiq në vitin 2014 pasi një oficer i bardhë i bllokoi qafën ndërsa ai i lutej për jetën. Edhe Garner u tha oficerëve, “Nuk po marr dot frymë”, një klithmë që u shndërrua në një thirrje për protesta në mbarë vendin kundër një historie të gjatë në Amerikë që flet për brutalitetin e policisë.
Vdekja e Floydit vjen disa javë pasi tre persona u akuzuan se kishin qëlluar për vdekje një person me emrin Ahmaud Arbery në shtetin jugor të Xhorxhias. Afrikano-amerikani u vra në muajin shkurt. Aludohet se vrasësit janë një ish polic i bardhë dhe djali i tij, të cilët pretendojnë se e morën Arbery për hajdut, ndërsa ai ishte duke vrapuar. Ndaj tyre u ngritën akuza vetëm kur disa javë më vonë doli në dritë një video nga skena e ngjarjes. /Zëri Amerikës /KultPlus.com