Përkitazi me TV mini-serinë  “ADOLESCENCE”

25 Mars, 2025 - 12:11 pm

Fillimisht, është gjë e bukur të shohësh që në kohë reale në shoqërinë kosovare po diskutohet një serial i cili është pjesë e diskutimeve jo vetëm përmbajtësore, por edhe kinematografike e estetike kudo në botë ditët e fundit. Fundja, nëse kjo TV mini-seri ka arritur që të ulë bashkë prindërit dhe fëmijët dhe të diskutojnë me dhe për njëri-tjetrin, kritikat si kjo që do të pasojnë mund të refuzohen e të mos lexohen apriori. Pra, për të folur për serialin dhe për çështje të tjera që kanë njëfarë lloj relevance me temën, por edhe me idenë e serialit, unë rekomandoj që ky serial të shikohet sa më shumë në Kosovë nga prindërit dhe adoleshentët, veçanërisht nëse kjo bëhet së bashku.

Shkruan: Besim Ugzmajli

“ADOLESCENCE”, një TV mini-serial katër pjesësh që së bashku përbëjnë një film gati katër orësh dhe që në mënyrë eksplicite, duket filluar nga vetë titulli, mëton të diskutojë për adoleshencën si interval kohor drejt maturimit. Por kjo mini-seri gjithashtu shtron relievet krahasimore mes botëkuptimeve të gjeneratave të ndryshme, por edhe brenda vetë të së njëjtës gjeneratë, për shkak të ndërtimit kulturor, social e shpirtëror që i bën ato të dallojnë mes vetes, pavarësisht se kalendarikisht jetojnë në të njëjtën kohë. Prandaj, para se gjithash, ky serial nuk mund të gjejë shtrirje gjeografike të përgjithshme, sepse adoleshenca, përveç ngjashmërive humanide që lidhen me biologjinë, ajo në aspektin social e etno-kulturor dallon thelbësisht nga vendi në vend, për shkak pikërisht të zhvillimit kulturor, psiko-social, por edhe atij ekonomik e politik. Por kjo nuk është çështja, sigurisht këtë qëllim të gjithshtrirjes nuk e kanë pasur as krijuesit e serialit, sepse një gjë e tillë do të ishte pothuajse e pamundur.

Ajo që sot lidhë të barabarsisht të gjitha moshat, veçanërisht adoleshencën, është komunikimi, përkatësisht interneti dhe rrjetet sociale, por që koha ka dëshmuar se edhe ky aspekt përjetohet ndryshe në vende të ndryshme dhe interpretohet gjeografikisht edhe me më shumë diversitet se sa mund të mendohej.

Para se të diskutojmë për serialin ““ADOLESCENCE””, të flasim fillimisht shkurt për industrinë e filmit dhe serialeve në përgjithësi kohëve të fundit. 

Pikësëpari, strukturat e rrëfimeve përgjatë kohës, sidomos rrëfimeve filmike, janë konsoliduar e skalitur në atë formë saqë shpeshherë duket se zhvillimi kinematografik, por në veçanti ai letrar, në përgjithësi me pak përjashtime, duket se ka mbetur prej kohësh brenda një sheme të diskutueshme strukturale, shpeshherë pështirësisht të përsëritur, banalisht të parashikuar, skematikisht refuzuese, saqë shpesh befasohem se si ende shikueshmëria e filmit në përgjithësi është kaq e lartë. Pavarësisht që rrëfime për nga ideja-tematika janë të ngjashme e shpesh identike, ato çuditërisht vazhdojnë të përtypen fillimisht nga produksionet dhe pastaj nga shikuesit. Ky lloj roller-coaster, pa pikë rezerva për dinamikat bashkëkohore, vazhdon të zgjojë interesimin e shikuesve dhe bashkë me ta gjenerimin ekonomik e ndërtimin e diskursit tëjet-manipulues që vjen nga televizioni e kinemaja.

Një relacion kohor, meqë po flasim për kohën njerëzore 

Çfarë lidhje ka “Werther” i Gëtes me ““ADOLESCENCE”” të Jack Thorne? 

Përderisa në rastin e parë “Wertheri”, dashurisë së pamundur, dashurisë së parealizuar të tij, dhunën si derivate të mungesës së plotësisë e kthen kundër vetes dhe përfundon me vetëvrasje, në rastin e dytë Jamie, pra në serialin ““ADOLESCENCE””, dhuna si derivat i dashurisë së parealizuar, të përcjellur me perceptimin apo jo të poshtërimit dhe vërjen e pikëpyetjes a po jo të maskulinitetit, përfundon me vrasje. Në rastin e parë, pamundësia e realizimit të dashurisë projektohet si një paaftësi e vetë personazhit, apo rrethanave relevante, në rastin e dytë paaftësia e realizimit të dashurisë projektohet si faj kolateral shoqëror për rrethanat jorelevante, por gjithsesi determinues.

Në të dy rrëfimet fikse, adoleshenca konsiderohet një simptomë e të ardhmes kaotike e të pasigurtë për të maturuarit kalendarisht, por nga ana tjetër një simptomë shprese e projektuar për të ardhmen nga këndvështrimi i fëmijëve. Bota në metamorfozën konstante kohore, përbrenda së cilës “vetëdijet e pareflektuara”, me të cilën veprojnë kryesisht adoleshentët, por sigurisht me përjashtime, janë aq të fuqishme saqë rrënojnë “vetëdijet e reflektuar” të të maturuarve që provojnë të mbajnë balancën etik, më bazë dëshmi – empirizmin, mirëpo empirizmi mbetet thjesht element i cili me ose pa të drejtë përbuzet e refuzohet sot nga adoleshenca kudo.

Faji është prodhim i një gjuhe unike të komunikimit që shoqërinë e ndarë dikur në klasa për nga edukimi e ekonomia, sot ajo e ndan pozicioni virtual i individit në shoqëri. Pra, “avatari” i secilit individ sot krijon perceptimin e shoqërisë për atë individ. Nga ndërtimi i personaliteteve përmes rrjeteve sociale, nga një lloj distancimi real-sociologjik, sot nuk ka më një të vërtetë relative objektive, sot ka një dilemë absolute subjektive. Gjithçka i nënshtrohet faktit se jo kush jemi ne, por kush jemi ne për të tjerët përmes filtrit “avatarian” që kemi krijuar përmes rrjeteve sociale. Sot e vërteta e secilit kalon përmes filtrit digjital, pra askush nuk është në të vërtetë ai që njohim ne përmes perceptimit virtual, prandaj nuk rreshtim së befasuari sa herë takojmë dikënd që kemi njohur prej kohësh virtualisht, krahasuar me atë që gjejmë kur takohemi personalisht.

Krahasimi i “Werther-it” dhe ““ADOLESCENCE””, përveç tjerash bëhet edhe për faktin e krahasimit se si i janë qasur ndërkohë ngjarjeve në përgjithësi, por edhe si adoleshenca është trajtuar në letërsi në kohë të ndryshme. Pra, të faktit se si ka ndryshuar vetë adoleshenca në kohë, por edhe si trajtohet ajo në shkrime të kohëve të ndryshme. 

Krahasimi tregon se shumë gjëra kanë ndryshuar në plotësi, faji ka marrë përmasa që projektohen deluzivisht në murin e shoqërisë pa adresë, koha sot është interval për bizaritetin e megalomanisë, njerëzit përqafojnë vetëm vetën e tyre të dëshpëruar, individualiteti është utopi, secili sot është një dritë projektori që dhunshëm duhet ta shfaqë veten në shoqërinë që bën murin e projektimit dhe gjyqin final për secilin. Në anën tjetër, natyra njerëzore është në shpërputhje të plotë me dinamikat e teknologjisë dhe diskurseve të pakicave që thërrasin në një lloj emancipimi, e emancipimi dikur njihej si “ikje”, sot semantikisht i metamorfizuar perceptohet si “ndjekje”.

Të kthehemi te TV mini-seria që mund t’ju interesojë më shumë.

Seriali ““ADOLESCENCE”” ka krijuar një debat të jashtëzakonshëm kudo, mu për shkak të temës që trajton seriali. 

Prindërit sot sikur kanë pasur një nevojë të jashtëzakonshme që dikush të bëjë shoqëri me ta në vetminë e tyre sfiduese me gjeneratat adoleshente. Diskutimet për serialin nuk duken shumë përmbajtësore nga shikuesit, atyre ju ka mjaftuar fakti se dikush po provon të trajtojë raportet prindërit-fëmijë, në dinamikat e sotme shoqërore ku prindërit vetëm sa nuk janë dorëzuar në këtë aspekt.

“ADOLESCENCE” është një ngjarje që përpiqet të flasë për adoleshencën, por që në fakt flet për të rriturit, për prindërit. Edhe pse kjo nuk është ndonjë gabim, sigurisht që fuqishëm flet për faktin se, sado që stisim ngjashmëri të tilla si guxim për të folur për adoleshentët e sotëm, edhe njëherë, në mënyrë spektakulare, tregojmë se dimë shumë pak për ta, për botën e tyre, për shqetësimet e tyre. “ADOLESCENCE” trajton adoleshentët nga një perspektivë të rriturish, pra me plot paragjykime, me thjeshtësim bizar të shqetësimeve të tyre, me interpretim të ngushtë të botëkuptimeve të tyre. “ADOLESCENCE” tregon se ne nuk dimë shumë për adoleshentët e sotëm, edhe nëse dimë, dija jonë është thjesht një interpretim i ngushtë i botës së tyre.

Të shkojmë radhazi.

Seriali fillon brenda një strukture të njohur kinematografike, në fakt brenda strukturave tepër të konsumuara narrative që sot duket se janë bajate, pra nga një “Ordinary World” e cila trajtohet thjesht dhe direkt në “Call to adventure,” pra në momentin kur Jamie arrestohet. Kjo përbën një moment që sa është në shërbim të ngjarjes, më shumë është një trik i njohur për ta lidhur audiencën me ngjarjen. Asgjë gabim, por jashtëzakonisht mënyrë e tejpërtypur dramaturgjike për “bites” dhe “hooks.”

Stili i xhirimit është një nga mënyrat më të zorshme të produksionit dhe veçanërisht të regjisë në realizimin kinematografik. Pra, xhirimi i pandëprerë i të gjithë episodës apo filmit është një sfidë e jashtëzakonshme për secilin prodhim filmik. Kjo është bërë mjeshtërisht në këtë serial. Mirëpo, cilat janë disavantazhet e përcaktimit regjisorial për të realizuar këtë film në këtë mënyrë?

Përcaktimi që këtë serial, ose më mirë me thënë secilën episodë ta xhirojnë pa ndërprerje, “ADOLESCENCE” i ka shkaktuar probleme të jashtëzakonshme në atë që njihet si lidhja e diskontinuiteteve në kontinuitet, apo sekuencimit të ngjarjes në prerje për të krijuar ndjesinë e kalimit kohorë apo elipsave, të cilat janë kryesisht konvenca të njohura, por tejet të pavërejtshme në raportin ngjarje – audiencë.

Meqë seriali është i xhiruar pa ndërprerje, ndjesia e kalimeve kohore, e cila ishte shumë e nevojshme në këtë film, ishte një disavantazh që më së shumti i ka shkaktuar probleme dramaturgjike serialit ““ADOLESCENCE””.  Kjo mënyrë xhirimi e ka bërë të pabesueshëm kalimin kohor nga episod në episod, dhe kjo bëhet edhe më e dukshme nëse serialin e sheh brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Kjo mënyrë xhirimi ka shkaktuar gjithashtu shumë momente për të cilat flitet dhe nuk shihen, pra një mënyrë që refuzohet aksioni dhe drama bie në nivelin verbal, dhe këtë e lufton gjithmonë kinematografia. Vështirë të ketë fjalë që mund të jenë më të fuqishme se vetë ngjarja. Prandaj, të shohim e dëgjojmë diçka gjithmonë është më e fuqishme se vetëm të dëgjojmë.

Meqë ngjarja në përgjithësi është e thjeshtë, përpjekjet modeste për t’i ikur parashikueshmërisë, e bëjnë këtë serial me shumë probleme narratologjike e strukturore.

Të provojmë që, përmes disa dilemave, të ngrisim një diskutim mbi qëndrueshmërinë strukturore e logjike të ngjarjes dhe mënyrës së realizimit të këtij seriali.

Pse nuk e shohim videon e plotë të vrasjes së Jamiet? Kjo fshehje, e cila i bëhet vetëm spektatorit dhe jo personazheve në serial, është trik artificial për të mbajtur audiencën të lidhur me serialin. Pra, ne kemi një video që dëshmon vrasjen, por për të krijuar huti artificiale të audiencës, ne refuzojmë që këtë video ta shfaqim të plotë dhe në detaje për ta.

Kjo fshehje është e tillë vetëm për hire të ngjarjes, pra refuzim komunikimi për hire të “hook-ut” për shikuesin. Kjo ndodh shpesh në film, por fundi e rikuptimon fillimin, apo zhveshja e sekretit është domosdoshmëria e nevojave të njerëzve në film e jo të atyre që e shohin filmin.

Duke tentuar që Jamie-n ta paraqesin si të pafajshëm, skenaristët fillojnë të shpërndajnë dilema të paqëndrueshme dhe të pamotivuara tek karakteret e tjera.

Jade sulmon Ryan me pretekstin se ai ka vrarë Katie-n, pra pavarësisht se po në atë episodë, nxënësit flasin se si kanë parë videon e vrasjes, Jade si personazh shfrytëzohet që dhunshëm të krijojë një ide se Jamie nuk është vrasësi por Ryan, pa ndonjë fakt të prezantuar, pa ndonjë motiv, sikundër që edhe vetë Ryan bëhet i dyshuar për hir të ngjarjes, pra pa ndonjë motiv, pa ndonjë shkak të qëndrueshëm, ai sillet çuditshëm, refuzon të përgjigjet, ikën nga dritarja, arrestohet, për çfarë? Pra, vetëm për hire të konfuzitetit artificial dramaturgjik. Ngjarja hap probleme me të cilat pastaj nuk merret, dhe njëra nga arsyet se personazhet që hyjnë vrullshëm në skenë, duket sikur kanë përmbajtje, ata zhduken paarsyeshëm, është mënyra e xhirimit, pra xhirimi i pandërprerë ka shkaktuar probleme të pasanueshme dramaturgjikisht në këtë serial.

Po në episodën e dytë, Jade përfundon para kamerës, vendosja e saj në kuadër, sikurse edhe sjellja e saj, filmikisht interpretohet si një personazh që do të ndërmarrë diçka, që do të vendosë për diçka apo do të veprojë në linjën e ngjarjes që pritet të zhvillohet, e ne në fakt nuk e shohim më asnjëherë këtë personazh, sikurse që nuk e dimë as çfarë ndodhi me Ryan.

Përmbajtja e “papërballueshme” për Jamie.

Meqë të rriturit shkruajnë për adoleshentët dhe fëmijët në industrinë e kinematografisë, rreziku që adoleshentët dhe fëmijët të ngarkohen me përmbajtje të “papërballueshme” është shumë evident.

Në këtë rast, replikat e Jamie në raport me psikologën, të cilat kanë qëllim të tregojnë një fëmijë të zgjuar, ato në fakt shumë herë tingëllojnë si përmbajtje apo fjalë të një të rrituri në gojën e një fëmije. Pra, mënyra se si Jamie strukturon fjalinë dhe argumenton, veçanërisht në lidhje me dyshimet e tij se psikologja po e manipulon, nuk janë të një fëmije inteligjent, janë përmbajtje që pavarësisht inteligjencës, kërkojnë njohje e përvojë, prandaj si të tilla janë të papërballueshme për një fëmijë 13 vjeçar.

“ADOLESCENCE” provon që “twists”- et të mos ngjasojnë në gjërat që i kemi parë, por fatkeqësisht për bindjen time, kjo mënyrë e ikjes nga strukturat klasike, bie në një vorbull hutie të cilat nuk i shërbejnë si strukturë vështirësisht të dekonstruktueshme, por ato në fakt e infantilizojnë gjetjen e përgjithshme narrative.

Serialet e tilla që marrin dhenë, shpesh herë nga një mbivlerësim fillojnë e interpretohen semantikisht e semiologjikisht jashtë kornizës së menduar nga prodhuesit. Mitet e shenjave dhe simboleve që krijohen nga shikuesit i bëjnë këto seriale edhe më të kërkuara, sepse si të tilla vishen me një lloj mistike që nuk derivon nga prodhuesit, por vjen nga interpretimet me bazë të paqëndrueshme që vijnë nga audienca e apasionuar mbi misterin artificial për kultet kinematografike.

Loja e aktorëve sigurisht që ishte në një nivel të lartë, shto këtu faktin se janë bërë prova të gjata për këtë serial pikërisht për shkak të mënyrës së xhirimit, pra xhirimi i pandërprerë i secilës episodë. Ajo që vlen të diskutohet është trajtimi i roleve mbështetëse, i cili bëhet me njëfarë neglizhence, pasi gjatë serialit, kuptohet se detyrat e disa prej personazheve janë në masë të madhe teknike dhe në shërbim latent të ngjarjes. Shumica e tyre zhduken pa gjurmë e pa arsye, p.sh. hetuesi Bascome dhe avokati Barlow.

Në momente të caktuara, loja e aktorëve është e jashtëzakonshme, por që në fakt është pamjaftueshëm e motivuar dhe, me raste, e përsëritur.

”ADOLESCENCE”,  pra është një mini-seri televizive që i dedikohet adoleshencës, por perspektiva e pakujdesshme e të rriturve, sikur pavetëdijshëm, e ngulfatin adoleshencën. Ata flasin në emër të adoleshentëve pa menduar, fajësojnë veten për çështje që nuk i takojnë dhe abstrahojnë fajin, duke e trajtuar atë si një problem që nuk ka kujt t’i përkasë. Ky serial merr përsipër përgjegjësinë për të folur për adoleshencën, por duket se adoleshenca është një problem për të rriturit, jo për vetë adoleshentët. Atmosfera në shkollë tregon sikur të rriturit po torturohen nga adoleshentët, sikur ata nuk mund të përballojnë energjinë e të rinjve, me të cilët nuk mund të komunikojnë dot. Ky serial refuzon të hyjë në mendjen e një adoleshenti, flet sikur di gjithçka për të dhe në emër të tij, e mbush me përmbajtje të rriturish një fëmijë. Nxjerr përfundime të maturuara nga goja e një fëmije. Ky serial refuzon të kuptojë adoleshencën e kësaj kohe; krijuesit e tij interpretojnë dhunshëm se si është një adoleshent. Pyetja se si është ky serial, ndoshta i takon të rriturve, por përgjigjja medoemos i takon adoleshentëve.

Nëse i kthehemi përsëri Wertherit dhe krahasimit të tij me ”ADOLESCENCE”, mund të themi se, përderisa në kohën e Wertherit njeriu e ka ndërtuar komunikimin përmes fjalës dhe shkrimit, sot njeriu ndërton qasje të jashtëzakonshme vizuale. Prandaj, aq shumë po diskutohet për një serial, ndërkohë që nuk kemi dëgjuar të diskutohet kaq masivisht për një libër.

Kohën që po jetojmë është kohë e komunikimit përmes imazheve, prandaj e ardhmja duket se u takon syve, syve që duket se duhet t’i bëjmë katër.

Megjithatë, “ADOLESCENCE” ka një meritë të jashtëzakonshme shoqërore, pra ka arritur që debatin për të fëmijtë dhe të rinjtë ta forcojë, diskutimet në shoqëri t’i afirmojë, prindërit e fëmijët të diskutojnë, prandaj duhet të shihet dhe të sugjerohet. Fundja, asgjë më shumë se komunikimi nuk i duhet shoqërisë së sotme, veçanërisht komunikimit mes gjeneratash.

Në pyetjen hipotetike se nëse unë apo ne mundemi ne të bëjmë një serial të tillë, përderisa po e kritikojmë, përgjigja është: dyshoj se jo. Por, ashtu siç nuk mund të luajmë shah si Carlesen, apo futboll si Mesi, por e dimë se kur Mesi nuk e ka dhënë gol, dhe sigurisht, po qe se jemi fans të tij, mund të reagojmë keq kur ai dështon./KultPlus.com

Të ngjajshme