5 Tetor, 2021 - 2:31 pm
Si sot 150 vjet më parë, më 5 tetor të vitit 1871, lindi në Delvinë, Sulejman Delvina, patriot, mësues, politikan dhe veprimtar i çështjes kombëtare.
Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas studimet e larta në Stamboll. Mbajti disa poste të rëndësishme brenda administratës osmane deri në vitin 1911 ku kundërshtoi hapur politikën xhonturke dhe politikën ekspansioniste të vendeve fqinje kundrejt territoreve shqiptare.
U zgjodh një nga përfaqësuesit e kolonisë së Stambollit në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Pas Kongresit të Lushnjës u emërua kryeministër i qeverisë ku u përball me probleme të shumta ku më të mprehtat ishin çështjet e kufijve dhe çështja e Vlorës ku dha një mbështetje të madhe si dhe firmosi protokollin italo-shqiptar për zbrazjen e Vlorës dhe rrethinave të saj nga italianët.
Delvina mbështeti Lëvizjen e Qershorit dhe u caktua në krye të Ministrisë së Jashtme në Qeverinë Noli. Pas dështimit të Lëvizjes largohet nga vendi për t’u rikthyer më 1928. U nda nga jeta më 1 gusht 1933, në Vlorë.
Në fotografitë e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave paraqitet portreti i Sulejman Delvinës dhe biografia e tij në gjuhën italiane./atsh/KultPlus.com