Përkujtohet Abaz Kupi, formoi Lëvizjen e Legalitetit

9 Janar, 2022 - 11:32 am

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot figurën politike të Abaz Kupit, i cili ndërroi jetë si sot më 9 janar 1976.

Abaz Kupi lindi në Krujë më 1892. Që më 1912 përkrahu Esat Pashë Toptanin, kurse më 1920 u rreshtua krah Mustafa Krujës kundër Ahmet Zogut. Pavarësisht mospajtimeve mes tyre, pas ardhjes së Zogut në pushtet Kupi u bë komandant i Krujës, e më pas major në xhandarmërinë e Durrësit në vitet 1932-1939.Më 7 prill 1939, kur italianët zbarkuan në Durrës, Abaz Kupi, i njohur edhe si Bazi i Canës, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak, duke mbajtur qëndresë për 36 orë. Me pushtimin e Shqipërisë u largua në Stamboll.Në qershor të vitit 1939 familja e tij u internua në Himarë. Rikthehet në atdhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ-së.

U bë nismëtari i Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943.Duke mos u pajtuar me qëndrimet e Enver Hoxhës, i cili në shtator 1943 hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit, në 19 nëntor 1943 Kupi u largua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar dhe më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që mësynte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri.Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu. Familjen e la në Shkodër.

Djali i vogël, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat u internuan në Tepelenë e më pas nëpër kampet e Myzeqesë.

Ndërroi jetë në Nju Jork më 9 janar 1976.

Të ngjajshme