10 Tetor, 2023 - 2:44 pm
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujtoi me rastin e 93-vjetorit të lindjes, historianin e antikitetit, ilirologun dhe akademikun Aleksandër Stipçeviç (Aleksandar Stipčević).
Stipçeviç lindi në Arbënesh të Zarës në një familje shqiptare më 10 tetor 1930. Studimet e larta i kreu për arkeologji dhe u diplomua në Universitetin e Zagrebit në vitin 1954. Në vitin 1957 filloi punën në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Zagrebit. Stipçeviç u bë drejtor i Bibliotekës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë në Zagreb në vitet 1974–1983.
Në fillim të viteve `70 dha kontributin pedagog i arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ai ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime albanologjike” për 15 vjet. Në vitin 1977 kreu doktoratën dhe një vit më pas fitoi titujt: “Këshilltar i lartë në bibliotekari” dhe “Këshilltar shkencor në fushën e shkencave shoqërore”. Kryeredaktor i “Leksikonit Biografik Kroat” në vitet 1983–1987.
Stipteviç u bë profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik (katedra e bibliotekarisë) të Universitetit të Zagrebit. Është autor i shumë studimeve në fushën e ilirologjisë, si: “Gli Illiri” (Ilirët), në vitin 1967; “Arte degli Illiri” (Arti i Ilirëve), në vitin 1967; “Bibliographia Illyrica”(Bibilografi për Ilirët) në vitin 1967; “Kultni simboli kod Ilira” (Simbolet e kultit te Ilirët), në vitin 1983; “Problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe aktualizimi i tij politik sot” etj., si dhe në fushën e albanologjisë: “Interpretime albanologjike”, “Etnogjeneza e Shqiptarëve”, “Albanologjia në Kroaci” etj.
Gjithashtu ka botuar monografitë: “Historia e librit” në vitin 1988, “O savršenom Censoru” (Censori i përsosur), në vitin 2003 dhe një varg artikujsh shkencorë. Ka kontribuar si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Prof. Stipçeviç ka lënë një trashëgimi të pasur rreth 230 punime shkencore e profesionale, në kroatisht, shqip, italisht, anglisht. U nga nga jeta më 1 shtator 2015 në Zagreb.
Katër vite pas largimit nga kjo jetë, rreth 1100 tituj librash me vlera të jashtëzakonshme studimore, kryesisht për studimet ilire e albanologjike, përmes një testamenti të lënë nga ai vetë i janë dhuruar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjest që dëshmon për dashurinë e rrënjosur thellë te Stipçeviç, shqiptarët si pasardhës të ilirëve. / atsh / KultPlus.com