26 Korrik, 2023 - 12:50 pm
Më 26 korrik 2007, ka vdekur “Artistja e Popullit” Violeta Manushi.
Ikona e artit teatral dhe kinematografik me një galeri të pasur rolesh të ekzekutuara, gëzonte simpati dhe popullaritet të gjerë në publiku. Korri sukses njësoj, si në komedi, ashtu edhe në dramë.
Gjatë karrierës së saj realizoi 100 role në teatër dhe 16 role në kinematografi. Interpretimi i saj i fundit ishte në tragjikomedinë e Ruzhdi Pulahës, “Streha e të harruarve”.
Në moshën 20-vjeçare, u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit në vitin 1946. U shqua për vërtetësi, natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt.
Shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985).
Në ekranin e zi të filmit, ka trupëzuar role në 16 filma: “Tana”, “Rrethimi i vogël”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Zonja nga qyteti”. Këto janë disa prej realizimeve ku spikati më shumë për forcën e saj aktoriale. Manushi u vlerësua me medaljen e festivalit të filmit në vitin 1977./ atsh / KultPlus.com