28 Gusht, 2022 - 6:30 pm
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot gjuhëtarin gjerman, studiuesin e gjuhëve indoevropiane Gustav Meyer, në 122 vjetorin e vdekjes.
Meyer, një nga albanologët më të rëndësishëm të kohës së tij, provoi se gjuha shqipe i përket familjes indoevropiane.
Në nder të kontributit të tij për albanologjinë, një shkollë në Tiranë mban emrin e tij.
Meyer lindi në Groß Strehlitz në provincën prusiane të Silezisë (sot Strzelce Opolskie në Poloni). Më 1867 u regjistrua në Universitetin e Breslau (sot Universiteti i Ërocłaë) për të studiuar filologji klasike, gjuhët indoevropiane, greqishten moderne dhe sanskritishten. Aty u ndikua nga filologët Martin Hertz dhe Adolf Friedrich Stenzler. Më 1871 u emërua ndihmësprofesor në Universitetin e Göttingen, dhe një vit më vonë profesor i gjuhëve të lashta po aty.
Më 1877 u emërua profesor i sanskritishtes dhe gjuhësisë së krahasuar tek Universiteti i Gracit, ku vijoi studimet në greqishten e lashtë, turqishten dhe shqipen dhe botoi studimin e tij “Kontribute mbi teorinë e fjalëformimit në greqisht dhe latinisht” (1872).
Atje u përqendrua rreth albanologjisë dhe botoi një sërë veprash, si: “Albanesische Studien, I” (1882); “Etymologisches Ëörterbuch der albanesischen Sprache”, (1891); “Kurzgefasste albanesische Grammatik”, (1888) etj.
Meyer çmohet si gjuhëtari që provoi se gjuha shqipe i përket familjes indoevropiane dhe njihet për korrespondencën e gjatë me Jeronim de Radën./atsh/ KultPlus.com