7 Korrik, 2024 - 12:04 pm
Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar Mësuesin e Popullit, Aleks Budën, në përvjetorin e 31-të të vdekjes së tij.
Aleks Budën (1910-1993), Historian i shquar, profesor, kryetar i parë i ASHSH. Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe (Lecce, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929-1935). Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës.
Mori pjesë në Lëvizjen ANÇ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit. Në vitet 1945-1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e historisë së mesjetës dhe me këtë hodhia bazat e medievistikës shqiptare.
Punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë. Si kryetar i ASHSH që në themelimin e saj (1972) dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanëshme, historike gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj., Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë.
Ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhërin e Lirisë” të kl. I dhe me “Urdhërin e Flamurit të Punës” të kl. I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar më “Medaljen e Madhe të Artë” (1990)./ KultPlus.com