Përkujtohet atdhetari dhe publicisti i shquar, Milto Sotir Gurra

16 Maj, 2024 - 10:17 am

Më 16 maj të vitit 1884 lindi shkrimtari dhe gazetari i spikatur në shtypin e emigracionit shqiptar gjatë rizgjimit kombëtar, Milto Sotir Gurra.

Gurra publikoi në shumë gazeta dhe revista, sikurse ishin: “Atdheu”, “Shkëndija”, “Zekthi”, “Zëri i Popullit”, “Mituria”, “Vatra a Rinisë”, “Dielli”, “Kombi”, “Bashkimi i Kombit”, “Shqypeja e Shqypenis” etj. Në shkrimet e tij me tematika të larmishme, do të pasqyronte betejën e rizgjimit kombëtar me nota romantike.

Duke ditur problematikat që Shqipëria po përjetonte në ato vite, Gurra krijoi një kredo sipas së cilës zgjimi kombëtar do të vinte vetëm nëpërmjet kulturës. Kështu, në sprovat e tij letraro-publicistike do të ngrinte pyetje mbi fatin kulturor të shqiptarëve dhe mbi dilema të papërfillshme për kohën, si p.sh. tentativa për krijimin e një opere shqiptare apo mbi zhvillimin e letërsisë.

Milto Sotir Gurra nga Marjani i Oparit, gjithashtu përktheu mjaft shkrimtarë të mëdhenj botërorë. Vitet më krijuese të jetës i kaloi jashtë vendit: në fillim në Odesë, buzë Detit të Zi, kurse më pas në Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë. Ai bashkëpunoi aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim shpesh me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza. Një përmbledhje me njëzet e dy nga këto tregime u botua me titullin Plagët e kurbetit, Tiranë 1938.

Ai ka vdekur në Tiranë në vitin 1972./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme